Dhuna ndaj Duros, përjashtohet përjetë zv.trajneri i Shkumbinit
Disiplina “flijon” Klodian Dervishin, zëvendëstrajnerin e Shkumbinit, për dhunën e ushtruar ndaj trajnerit të Besës, Shpëtim Duro, pas përfundimit të ndeshjes së kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë në Peqin, të fituar me rezultatin 1-0 nga kavajasit. FSHF-ja edhe një herë konfirmon “dorën e hekurt” ndaj një fenomeni të tillë, i cili ka pushtuar të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar në këtë pjesë të dytë të sezonit. Komisioni i Disiplinës, i mbledhur dje në ambientet e organit më të lartë të futbollit në vendit tonë, e ka gjykuar të patolerueshëm gjestin e zëvendëstrajnerit të Shkumbinit, i cili ishte një nga agresorët e teknikut të Besës. Zanafilla e gjithçkaje ishte një debat i ashpër mes tyre gjatë ndeshjes, që më pas ka precipituar në një konfrontim në përfundim të takimit, kur po futeshin për në dhomat e zhveshjes. Në bazë të vendimit të djeshëm të Disiplinës, Klodian Dervishi detyrohet t’i thotë “lamtumirë” futbollit, pasi ai është përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha aktivitetet e lojës top-këmbë. Incidentet e dhunshme në përfundim të kësaj sfide shumë të tensionuar, ku Duro u godit edhe nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Peqinit, Ilir Rrushaj, por edhe hedhjet e sendeve të forta në fushë e të fishekzjarrëve, të cilët kanë sjellë si pasojë edhe dëmtimin e një lojtari kundërshtar, si dhe për trazirat e shkaktuara nga tifozët vendas, i ka kushtuar shtrenjtë edhe klubit të Shkumbinit. Ndërsa kryetari i bashkisë, Rrushaj, së bashku me zëvendëstrajnerin Dervishi, do të duhet të përballen edhe me vendimin e gjykatës, pas denoncimit të Duros në Komisariatin Nr. 2 të Tiranës. Sipas vendimit të Komisionit të Disiplinës, peqinasit do të jenë të detyruar të luajnë tri ndeshjet e ardhshme në shtëpinë e tyre pa praninë e tifozëve, ndërsa për këtë arsye klubi do të duhet të paguajë gjithashtu edhe një gjobë prej 200 mijë lekësh të reja. Për hyrje në fushën e lojës pa lejen e gjyqtarit, si dhe për fyerjen e këtij të fundit, që për rrjedhojë u ndëshkua edhe me karton të kuq, trajneri i Lushnjës në Kategorinë e Parë, Artan Bano, është dënuar dje nga Disiplina me 3 ndeshje pezullim nga drejtimi i ekipit dhe 50 mijë lekë të reja gjobë. Pesë ndeshje pezullim dhe 50 mijë lekë të reja gjobë janë dhënë për futbollistin Bledar Dura të Besëlidhjes, për shkak të goditjes së kundërshtarit.
#