E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Partia Mundësia prezanton kandidatët, Shehaj: Shqipëria ka nevojë për ndryshim rrënjësor

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Partia Mundësia prezantoi sot kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kryetari Agron Shehaj gjatë fjalës së tij tha se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor dhe këtë ndryshim mund ta sjellë vetëm Partia Mundësia.

Shehaj theksoi se forca e tij politike nuk bën pazare, por është e vendosur për të “përmbysur një sistem të kalbur nga korrupsioni dhe paaftësia”.

“Mirë se keni ardhur në prezantimin e kandidatëve të Partisë Mundësia. Të dashur miq, para një viti i gjysmë nisëm një betejë që shumëkush e quajti të pamundur. Të ndërtonim një forcë politike të re, të pastër, të ndershme dhe të vendosur për të përmbysur një sistem të kalbur nga korrupsioni dhe paaftësia. Na ndan një muaj e gjysmë nga zgjedhjet e 11 majit, dita kur ne do të korrim frytet e punës që kemi bërë deri më sot. Nuk është koha për të pushuar, përkundrazi, por është momenti të shtojmë ritmin dhe të flasim me çdo shqiptar që nuk na ka dëgjuar”, u shpreh Shehaj.

“E vërteta është se Shqipëria ka nevojë për një tronditje të madhe, për një ndryshim rrënjësor dhe këtë ndryshim mund ta sjellim vetëm ne. Ne nuk jemi këtu për të bërë pushim. Jemi këtu për të luftuar. Nuk është një fushatë zbavitjeje, por një përballje mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes shpresës dhe zhgënjimit mes mundësisë dhe statu quo-së. Në këtë sallë jemi mbi 500 qytetarë dhe kjo është vetëm një provë e asaj që do të ndodhë në të gjithë vendin”, tha Shehaj.

Shehaj theksoi më tej se “shqiptarët po zgjohen dhe po kuptojnë se Shqipëria ka nevojë për ndryshim”.

“Po u kujtojmë se nuk janë vetëm, se ka një alternativë, që ekziston një parti që nuk është pjesë e pazareve dhe që nuk janë në shitje”, nënvizoi Shehaj.

Shehaj shtoi se kandidatët e Partisë Mundësia janë njerëz me një vullnet të jashtëzakonshëm që nuk hyjnë në politikë për pushtet, por për t’ia kthyer pushtetin shqiptarëve.

“Sot do të prezantojmë kandidatët tanë, janë njerëz të zakonshëm, por të jashtëzakonshëm në vullnetin e tyre për t’i shërbyer vendin, jo për t’i shërbyer vetes. Ky është ndryshimi ynë, ne nuk hyjmë në politikë për pushtet, por për t’i kthyer pushtetin shqiptarëve. Na presim ditë intensive, por bashkë dhe me vendosmëri do ta çojmë këtë betejë deri në fund. E ardhmja nuk ndërtohet vetë, ne do ta ndërtojmë hap pas hapi, qytet pas qyteti, me zë të lartë dhe me zemër të pastër. Ky është projekti ynë”, u shpreh Shehaj.

Pas fjalës së Shehajt të gjithë kandidatët e kësaj partie bënë prezantimin e tyre.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›