Partia e Lirisë, letër Prodës: Kërkojmë emrat e skuadrës që arrestoi Metën

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Partia e Lirisë i është drejtuar me një shkresë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ku kërkon informacion për arrestimin e Ilir Metës.
“Kërkuam të na vënë në dispozicion brenda datës 7 nëntor 2024 emrat e të gjithë skuadrës me maska, të paidentifikuar dhe të armatosur rëndë, të pretenduar si punonjës të Forcës Lëvizëse Operacionale, që në datën 21 tetor 2024 rrëmbyen në mënyrë kriminale Presidentin Meta”, tha Blushi.
Ai tha se në rast se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të refuzojë të vendosë në dispozicion informacionin e kërkuar, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, brenda kësaj date, ndaj tij do të bëhet kallëzim penal për konsumim të veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim i krimit”.
“Akti kriminal do të zbardhet plotësisht dhe përgjegjësit do të marrin ndëshkimin që meritojnë deri në një”, u shpreh ai në një dalje për mediet.
Ish-Presidenti i Republikës dhe njëherësh kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua në 21 tetor me urdhër të SPAK. Arrestimi u konfirmua edhe nga SPAK që shtoi se detajet do të jepen në një kohë të dytë.
Përveç arrestimit të Metës, mediet raportuan se janë lëshuar masa “detyrim paraqitje” për Ema Çokun dhe për Monika Kryemadhin, ndërsa ndaj Pirro Xhixhos është vendosur masa “arrest në shtëpi”.


/e.i/j.p/