Partia e Lirisë protestë para SPAK, Blushi: Ky institucion mbron të korruptuarit e Ramës

Ashtu sikurse ishte njoftuar edhe më herët, Partia e Lirisë po proteston këtë të premte (6 dhjetor) para SPAK, tubim ky i thirrur nga presidenti i kësaj force politike, Ilir Meta, ndërsa ky i fundit ndodhet në burg.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka akuzuar SPAK si vegël të qeverisë Rama. Ai theksoi se ky institucion i drejtësisë po mbron të korruptuarit.
“Ky institucion prodhon vetëm padrejtësi, abritraritet dhe përndjekje politike e policeske të opozitës. Jemi sot këtu se SPAK është bunkeri i fundit i narkoqeverisë që po mbron e po i jep imunitet politik korrupsionit skizofrenik të Ramës e rilindjes për të mos u dënuar e ndëshkuar.
Jemi sot këtu se SPAK është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar të europës dhe të qeverisë së dytë më të korruptuar të botës. Jemi këtu se SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral, shërbëtori më i zellshëm i Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve, duke mbyllur dosjet e Dibrës, Shijakut e Elbasanit. Vendimet e gjymtuara që gjoja SPAK i ka bërë krimeve zgjedhore kanë ndodhur vetëm pasi Rama i ka blerë dhe grabitur zgjedhjet”, deklaroi Blushi.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua më 21 tetor me urdhër të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
SPAK ngriti tri akuza ndaj Metës: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, me dyshime të nisura që nga çështja CEZ-DIA.
/rtsh.al/