Protesta e PL para SPAK- Berisha: Demokratët u ftuan, por s’ishte organizim i koalicionit

Partia e Lirisë protestoi para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), por pavarësisht se janë aleatë, në protestë nuk u panë zyrtarë të PD-së. Në një deklaratë për mediat, i pyetur mbi protestën, kryedemokrati Sali Berisha u kujdes të theksonte se PD e mbështet kauzën për të cilën u ngrit PL, por shtoi se protesta nuk ishte organizim i koalicionit.
Ai tha se PD, sikurse PL, e konsideron arrestimin e Ilir Metës si “rrëmbim”, teksa shtoi se të dyja partitë do ta dërgojnë këtë rast përpara Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës.
“Ne qëndrojmë të bashkuar në këtë kauzë dhe të sigurt në fitore. Protestën e organizonte Partia e Lirisë. Demokratët kanë qenë të ftuar të marrin pjesë, por nuk ka qenë organizim i koalicionit kjo protestë. Përkundrazi, PD e konsideron rrëmbimin e Ilir Metës dhe keqtrajtimin e tij, zvarritjen dhe goditjen, si një nga aktet më të rënda të torturës publike të regjistruara nga vitet ’50 gjer sot.
Dhe PD, së bashku me PL do e dërgojë këtë rast përpara Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës, në mënyrë që ata që e organizuan këtë akt, të marrin ndëshkim ndërkombëtar. Akt i verbër i hakmarrjes politike e Edi Ramës ndaj Ilir Metës. Gjithçka për një person në hetim”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/