Partitë e Kosovës të involvuara në zgjedhjet në Maqedoni

Partitë politike të Kosovës janë involvuar në zgjedhjet lokale të 24 marsit në Maqedoni dhe fushatën e nisur zgjedhore.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes “Vetëvendosje” në mënyrë indirekte përmes zyrtarëve të tyre kanë shfaqur preferenca për Bashkimin Demokratik për Integrim dhe disa kandidatë të kësaj partie, për të fituar në zgjedhjet lokale të 24 marsit.
Ndërkohë, për Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila po shfaqet si një logjistikë dhe mbështetëse e fuqishme në këto zgjedhje, transmeton Ina.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj brenda një periudhe të shkurtër ka qëndruar disa herë në Maqedoni. Ai mori pjesë në konventën e PDSH-së për promovimin e kandidatëve, ndërsa sot ishte edhe në hapjen e fushatës përmes një shtabi partiak në Shkup.
Nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) theksojnë se gëzojnë respektin e të gjitha partive në Kosovë dhe se ato kanë marrë urata nga personalitete të ndryshme politike nga Prishtina. Në RDK theksojnë preferenca dhe qëndrimet e tyre më përafërt janë me LDK-në dhe “Vetëvendosje”.
Partitë politike në Kosovë nuk kanë dashur publikisht të shprehen mbi preferencat e tyre për zgjedhjet lokale në Maqedoni dhe raportet me partitë shqiptare. /Indeksonline/