Partizani – Kastrioti, beteja per SuperligenPër herë të fundit Kastrioti ka luajtur në Kategorinë Superiore në sezonin 2007-2008. Krutanët synojnë që përmes play-ofit me Partizanin, të luajnë për herë të shtatë në historinë e tyre mes ekipeve m

Për herë të fundit Kastrioti ka luajtur në Kategorinë Superiore në sezonin 2007-2008, kur rrëzua në të Parën, pikërisht me një ndeshje play-ofi kundër Lushnjës (nga gjuajtjet e penalltive), ndërkohë që të premten në “Niko Dovana” (16:30), krutanët synojnë që përmes play-ofit me Partizanin, të luajnë për herë të shtatë në historinë e tyre mes ekipeve më të mira të Shqipërisë e të rrëzojnë për herë të dytë 15-herë kampionët e vendit një kategori më poshtë.
BINDJE TRAJNERËSH
Partizani shmangu rënien direkt nga Kategoria Superiore vetëm në javën e fundit, kur edhe pse humbi me Lushnjën, falë golaverazhit më të mirë zuri një vend në play-of. Trajneri Shpëtim Duro, njeriu që i dedikohet edhe mbijetesa e momentit, është i bindur se skuadra e tretë me më shumë tituj në Shqipëri, nuk do të rrëzohet nga Superliga.
“Nuk e mendoj dështimin, por trajneri gjithmonë i mendon të tre rezultatet. Kastrioti është një ekip që e di se çdo të thotë Kategori Superiore. Mendoj se Partizani është më i favorizuar, pasi dhe skuadra është në gjëndje të mirë. Ekipi është i motivuar dhe i karikuar dhe shpresoj se do ta mbyllim brenda 90 minutave të kohës së rregullt”, - tha pasuesi i Hasan Likës për mediat.
Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, është më fjalëpakë, por e ka përgatitur seriozisht skuadrën dhe njeh deri në detaj gjendjen e lojtarëve të tij para betejës finale. “Mendoj se skuadra është gati për ndeshjen ‘finale’ me Partizanin. Formacioni që kam ideuar, them se gëzon formën optimale”, - u shpreh Ndreu, i cili e mori skuadrën pas vetëlargimit të malaziasit të njohur Dervish Haxhiosmanoviç.
“REPLIKA” KAPITENËSH
Te Partizani, kapiteni është portieri 31-vjeçar Orges Shehi, një nga më të dalluarit në këtë sezon dhe promotori i qëndrimit të lojtarëve pa pagesë në skuadrën e kuqe dhe një nga faktorët thelbësorë të mbijetesës deri në këtë ekstra-fazë të nxehtë të kampionatit.
“Ndeshja me Kastriotin nuk do shumë koment. Është ndeshja që vlen sa gjithë sezoni. Kam besim te grupi i futbollistëve tanë. Kam bindjen se do të qëndrojmë në Superligë”, - tha për mediat sportive Shehi, i cili mbron fanellën e Partizanit, që nga pjesa e dytë e sezonit 2005-2006 (121 ndeshje me të kuqtë) dhe numëron në total 357 ndeshje, duke përfshirë dhe ato me Teutën (168), Vllaznia (39) e Bylisin (29).
Mbrojtësi Fatmir Caca është kapiteni i Kastrioti dhe një nga pikat më të fortë në prapavijë të formacionit krutan ambicioz të Ramadan Ndreut.
“Ne kemi lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, e shumë prej tyre kanë luajtur edhe më parë në Superligë. Janë të aftë për të kaluar Partizanin. Edhe për ne është mundi e djersa e një sezoni të tërë”, - theksoi 24-vjeçari (i mbushi pikërisht sot), i cili luan për Kastriotin që nga sezoni 2004-2005, kur ai ishte vetëm 19 vjeç.
RIVALITET GOLEADORËSH
Partizani do të ketë në ndeshjen e rëndësishme kundër Kastriotit, golashënuesin më të mirë të tij në këtë sezon, korçarin Marius Ngjela (10 gola), një “letër me siglën e Asit” në duart e trajnerit Shpëtim Duro. Produktiviteti i 26-vjeçarit Ngjela ra në sy sezonin e kaluar, kur spikati si me Skënderbeun (12 gola) ashtu dhe me Besëlidhjen (2 gola). Pikërisht Ngjela, autori i dy dopjetave në kampionat, ku spikat dhe një gol kundër kampionëve të Shqipërisë, Tiranës, është shpresa e madhe e Partizanit.
Kastroti, nga ana e tij, ka në gjirin e tij një emër të frikshëm, afrikanin nga Zambia, Xhanuari Ziambo (14 gola), golashënuesi i dytë më i mirë i Kategorisë së Parë, pas brazilianit të Gramozit, Dos Santos. 28-vjeçari Xhanuari Ziambo ndodhet në sezonin e tij të tretë te Kastrioti por ka një eksperiencë goxha të madhe me Dinamon, Vllaznisë, Apoloninë e Teutën në kampionatin maksimal shqiptar dhe është një nga sulmuesit më profilikë që ka luajtur në Shqipëri.
E Enjte, 28 Maj 2009