Partizani blindon vendin e dytë, balta sundon lojën
Të kuqtë kanë mundur Mamurrasin në fund me rezultatin 3 me 2 në Qemal Stafa, në një terren skandaloz për një ndeshje futbolli
Partizani ka marrë atë që kërkonte në ndeshjen e djeshme përballë sportashësve të tij në kryeqytet. Në një ndeshje zhvilluar me drita, por me një terrën të tmerrshëm në :Qemal Stafa, Partizani ka gëzuar pa masë tifozët e tij, që kanë qenë të shumtë në numër në këtë sfidë. Skuadra e kuqe ka mundur kundërshtarin e tyre direkt, Mamurrasin, i cili nuk resistoi dot, duke pësuar gol në minutat e fundit.
3 me 2, rezultat i cili e dërgon ekipin pesë pikë larg ndjekëses së saj më të afërt, Pogradecit. Ndeshja nisi praktikisht me gol për të kuqtë më autor Malon, i cili shënoi në dopietë në këtë sfidë. Lojtari i kuq transformoi në gol një 11-metërsh të fituar nga skuadra e tij.
Do të ishte po ky lojtar që do të dyfishonte rezultatin 20 minuta më pas, pas një aksioni nga demat e kuq. Mamurrasi arriti të shënojë një gol shprese në pjesën e parë, duke u futur në dhomat e zhveshjes me humbjen minimale 1 me 2.
Pjesë e parë u dominua nga Partizani, por ajo që mbizotëroi lojën ishte terreni i vështirë, ku gropat e baltës ishin të përhapura në çdo cep të fushës. I vetmi stadium i kryeqytetit, tashmë e ka humbur edhe këtë titull, ku terreni është kthyer në armikun kryesor të futbollit.
Në këtë ndeshje, Partizani kishte përballë dy kundërshatrë për të mundur, Mamurrasin dhe terrenin e vështirë, ky i fundit ishte pengesa kryesore e lojës teknike te të kuqtë, duke penguar lojën e rrjedhshme. Tifozat e kuq ishin të shumtë në numër edhe pse koha nuk ishte premtuese.
Pjesa e dytë e ndeshjes filloi me gol për miqtë nga Mamurrasi, të cilët barazuan që në nisje të ndeshjes. Goli i barazimit stepi të kuqtë, të cilët me terrenin skandaloz nuk arrinin të ndërtonin aksionet në drejtim të portës kundërshtare. Tifozat e kuq ishin dhe shtysa kryesore e ekipit, i cili kaloi një situatë jo komode pas barazimit nga Mamurrasi.
Sa më shumë kalonin minutat, aq më shumë skuadra futej nën ngërç. Por falë këmbënguljes titanike, Partizani arriti të triumfojë në minuatt e fundit, duke marrë një fitore me aromë Superligë. Me këtë triumf, Partizani ka ruajtur diferencën më Pogradecin, pesë pikë më shumë, që do të thotë shumë për objektivin sezonal.
Partizani do të udhëtojë në Gramsh javën e ardhshme, ndërsa Mamurrasi me këtë humbje i ka dhënë fund ëndrrës për kalimin në Superligë. Kalimi në elitë po bëhet gjithnjë e më i prekshëm për legjendën Partizani, por ajo që duhet të theksohet është mungesa e stadiumit në kryeqytet, ku nuk dihet ende se si do të vijojë kjo situatë në të ardhmen.