Dinamo, ndaj Elbasanit për të shpëtuar emrin
Të mërkurën, skuadra e kryeqytetit do të luajë një ndeshje për jetë a vdekje me kundërshtarin e saj direkt për shpëtim
Skuadra tjetër e kryeqytetit është në gjendje shumë delikate në renditjen e Kategorisë së Parë, ku tashmë rrezikon seriozisht rënien nga kjo kategori. Skuadra nga kryeqyteti ndodhet vetëm një pikë përpara vendit që të dërgon në Kategorinë e Dytë.
Të mërkurën ata do të përballen me Elbasanin, skuadra e cila është dhe kundërshtari i tyre direkt për shpëtim në këtë kampionat. Dinamovitët do të rikthehen të luajnë në Qemal Stafa këtë javë kundër Elbasanit, pikërisht në sfidën më të vështirë dhe më vendimtare të kampionatit.
Vetë pozita e dy skuadrave në tabelën e renditjes do ta bëjë shumë interesant këtë sfidë. Ndërkohë që kush arrin tri pikët të mërkurën, do të jetë edhe më e fituara, pasi do të krijojë disi shkëputje nga zona që rrezikon rënien. Për sa i përket stadiumit, FSHF ka hapur dyert për Dinamon që të luajë këtë sfidë në stadiumin e vetëm funksional në kryeqytet, kuptohet me terren të papërshtatshëm.