Partizani fiton me përmbysje ndaj Flamurtarit, mbyllet Java e 25-të

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Partizani mori një fitore të çmendur me përmbysje në transfertën e Flamurtarit, në ndeshjen që përmbylli Javën e 25-të të Superiores.
Maksuti realizoi një gol mjaft të bukur nga distanca, pikërisht në minutën e tetë për vendësit. Të kuqtë fituan me 2 gola të Sidibe, ndërsa hero ishte edhe portieri Qirko që në minutën e 74-t priti penalltinë e gjuajtur nga Marku.
Tashmë të kuqtë kanë bërë mrekullinë, pas numërojnë po aq pikë sa Dinamo e vendit të katërt, 36. Flamurtari ndërkohë mbyll renditjen me vetëm 20 pikë të fituara deri tani, duke u bërë pretendent kryesor për rënien nga kategoria.
Java e 25-të e “Abissnet Superiore” prodhoi kështu spektakël, emocione dhe surpriza, teksa gara për kreun, për vendet e Final Four dhe për mbijetesën bëhet gjithnjë e më e fortë.
Në supersfidën e javës, Egnatia mposhti Dinamo Cityn 1-0 dhe ngushton diferencën me vetëm dy pikë nga vendi i parë. Skuadra rrogozhinase vazhdon presionin ndaj kryesuesve dhe mbetet një nga pretendentet kryesore për titullin.
Tri pikë me peshë siguroi edhe AF Elbasani, që fitoi 2-1 ndaj Vorës dhe afrohet ndjeshëm me kreun, me 45 pikë, tashmë vetëm tri pikë larg vendit të parë. Një sukses që rrit besimin dhe e mban skuadrën plotësisht në garë për objektivat sezonalë.
Surpriza e javës erdhi në Ballsh, ku Bylisi mundi 2-1 kryesuesit e Vllaznisë, duke i dhënë fund serisë prej shtatë fitoresh radhazi të shkodranëve në kampionat.
Në kryeqytet, Teuta triumfoi 1-0 ndaj Tiranës, një fitore që e çon skuadrën durrsake në kuotën e 33 pikëve dhe e afron me zonën e skuadrave pretendente.
