Partizani rikthehet te Kupa e Shqipërisë

Partizani është fituesi i Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, kjo për herë të 14-të në historinë e vet. Madje i rikthehet këtij trofeu pas tre vitesh mungesë, ndërsa në finalen e pasdites të së dielës, kjo në sallën olimpike “Feti Borova”, mundi Tiranën, 3-0. 25-12 seti i parë për të kuqtë e Ylli Tomorrit. Mandej dy sete njëherazi 25-22 dhe në përfundim 3-0. Lojtari më i mirë i finales ishte Osman Qepa, kurse në përfundim të ndeshjes, Ledion Martiro dhe Klodian Kasa do të vlerësonin këtë finale për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar.
“Ishte një ndeshje e fortë duke marrë parasysh që Tirana është një skuadër shumë e fortë. Për më tepër është kampione në fuqi dhe kjo tregon që ne kemi punuar fort dhe me shumë seriozitet”, thotë kapiteni i të kuqve, Klodian Kasa
“Dua të them që nuk jemi më ekipi që kemi qenë dikur, pra skuadra e pjekur. Kemi dhe prurje të reja e mosha të reja, të cilët sigurisht do të përfitojnë dhe nga eksperienca e jonë”, nënvizon kapiteni bardheblu, Ledion Martiro
Ndërkohë Partizani brenda dy javësh i ka marrë një tjetër trofe Tiranës. Madje me të njëjtin rezultat 3-0 si në Ligën “Gjergj Kastrioti”. Ja dhe vlerësimi i Ylli Tomorrit.
“Deri tani jemi të pandalshëm me rezultatet që kemi bërë. Por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse nuk ka mbaruar asgjë. Tani na vjen eventi më i rëndësishëm që është kampionati kombëtar dhe natyrisht që mirë jemi. Jemi dukshëm në krye të renditjes. Por të gjitha pikët zerohen dhe niset gjithçka nga e para në Play-off”, përfundon Ylli Tomorri