Partizani, të ardhurit nuk bëjnë diferencë
Edhe pse është herët për gjykim përfundimtar, në minindeshjen e zhvilluar dje, lojtarët e ardhur francezë nuk shfaqën aftësi diferencuese
Skuadra e kuqe ka zhvilluar dje seancën stërvitore kryesuar nga trajneri, Hasan Lika. Ajo nisi me ushtrime të lehta për futbollistët, ku ndër të cilët ranë në sy dhe të afruarit e fundit, lojtarët francezë. Ardhja e tyre është pritur me interes nga drejtuesit e skuadrës së kryeqytetit. Prova e parë e tyre u krye në Shkodër në ndeshjen ndaj Adës në Loro Boriçi.
Përcaktimi
Pas asaj ndeshje ishte shumë herët për të dhënë një mendim në lidhje me lojtarët e afruar në ekip. Në vijim të seancës së djeshme, e cila u zhvillua në kompleksin e shkollës së bashkuar, trajneri Hasan Lika organizoi një mini ndeshje brenda grupit, ku u aktivizuan dhe lojtarët francezë.
Kjo sfidë u organizua për të provuar të ardhurit. Mesfushori me tipare sulmuese, 24-vjeçari Pongo Kanda Idriz nuk ishte shumë i zhdërvjellët në sulm, ku nuk evidentoi teknikë diferencuese në përpunimin e topit.
Çorientimi
Mbrojtësi 25- vjeçar, Armand Ndjamai ishte lehtësisht i kalueshëm nga sulmuesit e të kuqve, duke shfaqur çorientim nga ana taktike. Fantazisti 20-vjeçar, Franc Noel Mbarga ishte shumë i lëvizshëm, por i pasaktë në disa pasime. Gjithsesi, ky nuk është një gjykim përfundimtar nga trejtuesit e kuq, por një konstatim nga minindeshja e kryer dje.
Ashtu siç është komunikuar edhe më parë, lojtarët do të testohen për katër pesë ditë nga trajneri Lika dhe më pas do të jepet edhe një mendim përfundimtar për të ardhmen e tyre në klubin e kuq. Këto janë lojtarët e parë që skuadra ka hyrë në tratativa për ti marrë në skuadër.
Ndërthurja
Trajneri Lika e ka komunikuar se Partizani i ardhshëm do të jetë një ndërthurje e eksperiencës dhe talentit, e cila do të jetë baza e skuadrës së kuqe për sezonin tjetër. Lojtarët e rinj në ekip janë të shumtë, por priten dhe afrime të tjera, ku kohët e fundit kanë nisur të përmenden shumë futbollistë. Gjithsesi, për momentin janë konfirmuar vetëm francezët, për të cilët pritet të jepët përgjigje vetëm në fundin e provave.
