Pas Britanisë edhe Franca e Gjermania tërheqin ambasadorët nga Irani

Franca, Gjermania dhe Norvegjia janë vendet e radhës të cilat kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Teherani.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme francez, Bernard Valero njoftoi se ambasadori francez në Teheran është thërritur në vendlindje për konsultime. Në bazë të konsultave do të vlerësohet edhe gjendja e sigurisë së personalit diplomatik francez në Teheran dhe do të vendoset nëse do të vijojë misioni diplomatik apo jo.
Tërheqjen e ambasadorëve, si formë reagimi dhe si masë për të parandaluar sulmet ndaj përfaqësive të tyre diplomatike në Iran, kanë bërë më herët edhe Gjermania dhe Norvegjia. Ndërkohë, Italia njoftoi se po shqyrton mundësinë e tërheqjes së ambasadorit nga Irani. Ambasadori iranian në Romë është thërritur në Ministrinë e Jashtme italiane për të dhënë garanci për sigurinë e personelit diplomatik italian.
Më herët edhe Britania e Madhe përjashtoi nga vendi të gjithë diplomatët iranianë, si kundërpërgjigje për sulmimin e ambasadës së saj në Teheran.