Gjykata Kushtetuese lë në fuqi ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, rrëzon kërkesën e opozitës

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e një të pestës së deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, i cili sjell ndryshime në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Vendimi lë në fuqi ligjin e miratuar nga Kuvendi, duke i dhënë fund përpjekjes së opozitës për ta shpallur atë antikushtetues.
Deputetët kërkonin pezullimin dhe shfuqizimin e ligjit, duke pretenduar se cenonte Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Por, gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata hodhi poshtë pjesën më të madhe të argumenteve të paraqitura nga kërkuesit.
Pikat kryesore të vendimit
Lidhur me pretendimin për procedurën parlamentare dhe efektin financiar, pretendimi i deputetëve se ligji nuk ishte shoqëruar me raportin financiar të detyrueshëm sipas Kushtetutës u rrëzua. Gjykata nuk arriti shumicën e nevojshme për të vendosur, pasi gjyqtarët patën mendime të ndara. Disa argumentuan se krijimi i Zyrave të Administrimit të Parqeve Kombëtare krijon kosto të reja që duheshin justifikuar, ndërsa të tjerët vlerësuan se ligji nuk ka efekte financiare të menjëhershme.
Gjykata rrëzoi gjithashtu pretendimin për mungesë të konsultimit publik. Ajo argumentoi se, pavarësisht se nisma fillestare ishte nga deputetët dhe jo nga qeveria, procesi i konsultimit i zhvilluar nga Kuvendi ishte i mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ato të Konventës së Aarhus-it.
Lidhur me pretendimin se ligji cenonte identitetin kombëtar dhe detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, gjithashtu u rrëzua. Gjykata e cilësoi ligjin si një “ligj kuadër” që nuk prodhon pasoja të drejtpërdrejta. Sipas saj, ndikimi i vërtetë do të shihet vetëm pas nxjerrjes së akteve nënligjore specifike për çdo zonë, moment në të cilin mund të kontrollohet nëse respektohen detyrimet ndërkombëtare.
Gjykata, nga ana tjetër, nuk mori në shqyrtim pretendimet për lirinë e kërkimit shkencor dhe sigurinë juridike pasi u paraqitën vonë. Po ashtu, pretendimet për cenimin e parimit të barazisë para ligjit dhe hierarkisë së akteve normative u hodhën poshtë për mungesë argumentesh kushtetuese.
Edhe pretendimi për mospërputhshmërinë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) u rrëzua, pasi Gjykata nuk arriti të krijojë shumicën e kërkuar të votave për të marrë një vendim mbi këtë pikë.
Si përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi ligjin nr. 21/2024. Vendimi i arsyetuar i plotë pritet të publikohet brenda afateve ligjore.
Ina Zhupa reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Zonave të Mbrojtura
Deputetja e PD-së Ina Zhupa, një nga nismëtaret e çështjes së zonave të mbrojtura, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi ligjin, pasi gjyqtarët u ndanë 4 pro dhe 4 kundër.
Në reagimin e saj, Zhupa e cilëson këtë rezultat si një “dredhi” të Gjykatës për të shmangur marrjen e një vendimi përfundimtar. Ajo argumenton se kjo praktikë, ku ndarja e barabartë e votave çon në rrëzimin e kërkesës, është në shkelje të standardeve evropiane.
Zhupa citoi çështjen “Marini kundër Shqipërisë” të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg (2007), e cila, sipas saj, e dënon këtë lloj praktike, pasi “nuk i shërben sigurisë juridike” dhe “privon ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar”.
Deputetja thekson se ky vendim është “fatkeqësi për vendin” dhe “dështim për Gjykatën Kushtetuese”, duke shtuar se turpi i ngelet Gjykatës.
Ajo ka falënderuar organizatat mjedisore dhe avokatët për punën e tyre dhe paralajmëron se nuk do të ndalet. Zhupa deklaroi se do ta vazhdojë betejën ligjore në Strasburg, duke kërkuar drejtësi për mbrojtjen e zonave të mbrojtura.
Ajo e mbyll reagimin e saj me një premtim, se do të vazhdojë të mbrojë vendin, pasi mbrojtja e zonave të mbrojtura është një detyrim ndaj brezave të ardhshëm, për t’u lënë një Shqipëri më të mirë dhe jo të shkatërruar.
/rtsh.al/