Pas Merah, një tjetër vrasës serial frikëson Francën
Pas Muhamed Merah, një tjetër vrasës duket se po frikëson Francën.
Rasti në fjalë ka të bëjë me vrasjen e katër personave në kohë dhe zona të ndryshme në periferi të Parisit, që prej nëntorit të kaluar. Vrasjet janë kryer në një zonë me rreze 10 km, me të njëjtën armë dhe viktimat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Në të katër rastet, arma e krimit është një pistoletë e kalibrit të vogël, 7.65 mm. Viktimat janë një grua 35-vjeçare në pjesën jugore të Parisit, një 52-vjeçar në një parking, një 80-vjeçar në Ris-Orangis, dhe viktima e fundit, një 47-vjeçare me origjinë algjeriane e vrarë të enjten.
Sipas hetuesve të çështjes, vrasja e parë është kryer me disa plumba, ndërsa tri të tjerat me një plum të vetëm në kokë.
Dyshohet që vrasësi të jetë një person me motor Suzuki në ngjyrë të bardhë dhe blu. Ministri i Brendshëm, Claude Guéant, ka pranuar për mediat se ka dyshime që kemi të bëjmë me një vrasës serial që vepron vetëm.
Mediat franceze, të cilat u referohen burimeve shumë pranë hetimit, thonë se duhet përjashtuar pista e vrasjeve me ngjyrime religjioze apo politike, pasi ka shumë mundësi që vrasësi të jetë një person i çekuilibruar. / Gazmira Ndoja