E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Rusmajlit, i përndjekuri fyen ministrin Bode

TIRANË- Pas deputetit Ilir Rus majli dhe avokatit Agim Tirana, Gjergj Ndreca ish-i përndjekuri politik, sulmon ministrin e Financave Ridvan Bode në kohën kur ky i fundit ishte duke hyrë në godinën e Parlamentit.

Burime nga policia bëjnë të ditur se më datë 01.03.2012, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të Gjergj Ndrecës, banues në rrugën “Medar Shtylla”, arsim i mesëm, i dënuar politik. “Procedimi ndaj tij filloi pasi rreth orës 13:00 ka fyer ministrin e Financave dhe njëkohësisht deputet, Ridvan Boden, në momentin që ky i fundit po futej në godinën e Parlamentit”, – bëjnë të ditur burime nga blutë e kryeqytetit.

Kjo është hera e tretë brenda pak javësh që Gjergj Ndreca ndalohet nga Policia e Tiranës për goditje dhe fyerje ndaj personaliteteve të njohur politik dhe jo vetëm. Ndreca së bashku me Lirak Bejkon, më datë 16 shkurt goditën me grusht deputetin Ilir Rusmajli gjatë kohës që ky po dilte nga ambientet e parlamentit. Vetëm 6 ditë më pas, Gjergj Ndreca raportohet të ketë goditur avokatin Agim Tirana, po në afërsi të Parlamentit të Shqipërisë. Ndërkaq, materialet hetimore në ngarkim të këtij të fundit i kaluan Prokurorisë së Tiranës.
(Shkrimi sot në Gazeta Shqiptare)
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›