Pas Toni Sopranos, Hollivudi duhet të krijojë një Toni Sapunxhiu
Për disa vite, vëzhguesit e krimit në Nju Jork kanë vënë re rënien e mafias italiane.
Njujorkezët janë ende të lumtur me arrestimin e tipave të tillë si Vini Lavazhi apo Toni Paninia.
Tani, megjithatë, autoritetet po merren me një tjetër organizatë ndërkombëtare krimi.
Lideri i saj në Amerikë njihet me emrin Doc (Doktori), ai ka një nip që njihet me emrin Juicehead (me këtë emër njihen ata që abuzojnë më substanca narkotike) dhe një ndihmës të quajtur Big Brian (Brajeni i madh), të cilët kanë ndihmuar në trafikimin e sasive të mëdha kokaine të fshehura në ndarje sekrete brenda makinave luksoze, sipas dokumenteve të gjykatës.
Sipas një dokumenti të gjykatës federale, Fat Ange (Enxhi i Shëndoshë), sillte furnizim me qetësues të fortë, të marrë nga klinikat në Florida, kurse Frenk Neti, Laki, Xhimi, Pedi dhe Toni Xh. ndihmonin në shpërndarje.
Dokumentet e gjykatës e përshkruajnë atë si një organizatë prej familjesh emigrantësh me një kod nderi, lidhje të forta me atdheun dhe një rekord dhune brutale.
Duket si mafia e vjetër, por me një detaj thelbësor: të gjithë anëtarët janë shqiptarë: Doc është identifikuar si Xhavit Thaqi, Juicehead si Shkëlqim Bakraqi.
Një nga liderët e tyre, Arif Kurti, i njohur me emrin Arti, Nino, ose dhe Ariu, thuhej se drejtonte trafikun përmes një qelie burgu në Shqipëri.
37 anëtarë të dyshuar të kësaj organizate u arrestuan javën e shkuar në Nju Jork, Nju Xhersi, Kolorado dhe Florida.
Kjo sindikatë krimi përfshinte disa klane familjare shqiptare të ndërlidhura, të njohura me emrin fis, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorisë.
Për më shumë se një dekadë dyshohet se organizata ka importuar tonelata marihuane nga Kanadaja në Meksikë, qindra kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut dhe janë marrë me një sasi të madhe pilulash.
Tre nga anëtarët e sindikatës dyshohet se kanë qëlluar me pistoletë një informator të policisë, por akuzat ndaj tyre u pushuan pasi anëtarët e sindikatës kërcënuan viktimën, që u zhduk përpara se të dilte para gjyqit për të dëshmuar, thuhet në dokumentet e gjykatës.
Frank DiMatteo, publikues i revistës Mob Candy, thotë se rritja e gangsterëve shqiptarë ka vijuar për vite me radhë, por i është kushtuar pak vëmendje.
Hollivudi ka krijuar Toni Sopranon, por ka dështuar për ti dhënë botës një Toni Sapunxhiu, thotë ai.
