I hiqen truprojat Dritan Priftit përpara gjyqit me Metën

Dritan Prifti duke dale nga Prokuroria
Dritan Priftit i është komunikuar se do i hiqen edhe dy truprojat e fundit që i kishin mbetur nga katër të tilla që kishte në fillim kur bëri denoncimin për skandalin e Ilir Metës dhe atë për kontrabandën e naftës vergine. Ish- ministri i Ekonomisë ishte marrë nën mbrojtje dhe policia i kishte caktuar atij katër truproja që pas denoncimeve për skandalet e rëndë. Por pasi ka kaluar pak kohë, atij i janë hequr dy truproja. Ndërsa tani i është komunikuar se nuk do i ketë më as dy truprojat e tjera. Kjo gjë ndodh pikërisht pak ditë përpara nisjes së gjyqit të rëndësishëm ndaj Ilir Metës. Të premten Dritan Prifti pritet të dëshmojë në gjykatën e lartë për videon e Metës, regjistruar nga vetë ai. Lëvizja për të hequr truprojat është një mjet presioni që i bëhet atij në prag të kësaj dëshmie. Disa herë Prifti ka deklaruar se ndjehet i kërcënuar dhe për këtë arsye nuk mund të flasë për të tjera fakte të rënda korruptive të qeverisjes Meta- Berisha. Ai denoncoi në një emision televiziv aferën e naftës vergine, për të cilën pati disa të arrestuar, kryesisht biznesmenë. Por jashtë arrestimeve u la Agron Kuliçi, zyrtar i lartë i policisë, emri i të cilit dilte si tutor i aferës. Dëshmia e Priftit të premten pritet me shumë interes. Po ashtu të premten pritet të mësohet se çdo të ndodhë me videon e Metës. Gjykata ka kërkuar një tjetër ekspertizë. Pritet të mësohet se kush do e realizojë atë.