E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pas kërkesës për Bordin e Transparencës për karburantet, PD kërkon në Kushtetuese shfuqizimin e Bordit të çmimeve për ushqimet

Vetëm pak ditë pasi dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për naftën, PD ka depozituar sot një tjetër kërkesë për shfuqizimin e Bordit për përcaktimin e Çmimeve të Produkteve Ushqimore.

Kërkesa u dorëzua në Kushtetuese nga deputetët e PD, Dashnor Sula dhe Bledjon Nallbati. Deputeti Sula tha se Bordi i Çmimeve nuk përfaqëson interesat e qytetarëve.

“Sapo dorëzuam kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë për bordin për çmimet e ushqimeve. Qeveria i ka kthyer në ditë dimri të gjitha ditët e verës për qytetarët shqiptarë. Kanë paguar çmime të larta për të gjitha produktet ushqimore. Paketat e ndihmës së qeverisë ishin tërësisht të pamjaftueshme. Unë bashkë me kolegët e PD kemi bërë përllogaritje dhe del që është 76.7% rritja e produkteve të shportës. Gati dyfishim. Paketa që jep kjo qeveri janë vetëm thërrime. Kjo është për të ardhur keq dhe gjej momentin t’i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë me procedurë të përshpejtuar këtë kërkesë. Ky bord është abuziv dhe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve të shqiptarëve. Është një bord që përbëhet nga qeveria dhe grosistët, zero përfaqësim të qytetarëve shqiptarë. Është thjeshtë propagandë. I kërkojmë ndjesë qytetarëve për vonesën”, tha Sula.

Më herët PD depozitoi një kërkesë për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për Karburantet ku thanë se bordi me veprimtarinë e tij po cenon konkurrueshmërinë në treg. PD thekson se Bordi i Transparencës nuk iu shërben qytetarëve por oligarkëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›