E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas konferencës kombëtare për urbanistikën, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medias mbi situatën zgjedhore në vend, duke bërë këto komente: Pyetje: Zoti Berisha, sapo ësh

Pas konferencës kombëtare për urbanistikën, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medias mbi situatën zgjedhore në vend, duke bërë këto komente:

Pyetje: Zoti Berisha, sapo është kërkuar nga Zoti Meta, Ndoka dhe Dule një tryezë me Presidentin. A është e gatshme PD-ja të shkojë në atë tryezë duke ditur që do të kërkohet shtyrja e zgjedhjeve?

Kryeministri: Presidenti ka konsumuar, me anësimin shumë të qartë në qendrimin ndaj procesit zgjedhor, kompetencen e tij me dekretin që ka bërë. T'i kërkosh Presidentit të dekretojë për së dyti të njëjtën zgjedhje, domethënë nuk dëshiroj të shkoj më tej kodit etik.

Pyetje: Domethënë e gjykoni të panevojshme që të shtyhet?

Kryeministri: Presidenti e ka konsumuar kompetencën e tij kushtetuese. Në këto zgjedhje, Presidenti, në vullnetin e tij të lirë, ose e sigurtë jo në bashkëpunim me qeverinë, ka dekretuar atë datë që ka dashur dhe ka dekretuar datën e fundit të mundshme ligjore.

Pyetje: Por LSI-ja mendon se ka hapësirë për këtë?

Kryeministri: Nuk dua të komentoj më tej. Unë besoj se nuk është as LSI-ja, as PD-ja, nuk janë forcat politike dhe as qeveria ato që kanë tagrin e interpretimit kushtetues. Mbi bazën e një interpretimi, ose të një analize ligjore ndërkombëtare, ku nuk përjashtoj edhe atë kombëtare, por theksoj se ai ka një analizë ligjore ndërkombëtare që është analiza e ODHIR-it, Presidenti i vendit ka dekretuar zgjedhjet.

Pyetje: Si e komentoni analizën pas deklaratës së djeshme të ODHIR-it që bëhej fjalë për rrezikimin e zgjedhjeve?

Kryeministri: Ky proces do të vazhdojë, do të kompletohet. Ka një datë zgjedhjesh, ka një infrastrukturë të ngritur, një Komision Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka atributet kushtetuese për t'i dhënë përgjigje çdo akti të bllokimit ligjor nëpërmjet akteve administrative. Deri tani procesi po ecën.

Opozita i përmbahet bojkotit, nga i cili unë e ftoj të largohet. Në tërësi zyrat e gjendjes civile, por edhe njësitë e qeverisjes vendore nuk po marrin pjesë në aktin e sabotimit të zgjedhjeve nëpërmjet listave, nuk pranojnë të sabotojnë procesin zgjedhor, por po dërgojnë listat në Ministrinë e Brendshme. Kështu që ky proces po ecën. Me këtë nuk po them se nuk ka probleme.

Pyetje: Nuk po ngrihen dot KZQV-të...

Kryeministri: Problemi është shumë i thjeshtë. Zoti Rama ka zgjedhur si mënyrë për të mbetur në karrige mosregjistrimin e rivalit të tij. Këtë unë ua kisha thënë. Pasi kërkoi Tiranën zonë të lirë dhe nuk e mori, tani urdhëron Vali Bizhgën apo atë që kanë emëruar të mos kryesojë KZQV-në për të mos regjistruar rivalin. Kjo bëhej në monizëm. Vetëm në monizëm përzgjidheshin ata që duhej të regjistroheshin dhe kjo për këshilltarët, sepse kryetarët e bashkive nuk zgjidheshin. Të dhunosh ligjin dhe të pengosh regjistrimin e rivalit, kjo ndodh vetëm me kryetarin e bashkisë që, në fakt, e ka lëshuar Tiranën dhe është larguar diku në disa muzeume jashtë qytetit.

Pyetje: Por a ka zgjidhje?

Kryeministri: Gjithë procesi zgjedhor po ecën, pavarësisht vështirësive. Duhet të kuptojmë se PD-ja është një nga lojtarët, një nga pjesëmarrësit e këtij procesi. Qeveria është një nga faktorët, por zgjedhjet kanë qeverinë e tyre, e cila është KQZ-ja, të cilës Kushtetuta i jep të gjitha atributet e udhëheqjes dhe administrimit të procesit zgjedhor. Qeveria që unë kryesoj është thjesht në dispozicion të zbatimit të urdhërave dhe udhëzimeve që KQZ-ja apo thënë ndryshe qeveria e administrimit të zgjedhjeve lëshon dhe udhëzon.

Pyetje: A ndjeheni në pozicion të vështirë Zoti Berisha, kur dy aleatët tuaj kanë kërkuar të bashkohen me opozitën?

Kryeministri: Nuk ka asnjë bashkim. Aleatët kanë një luajalitet të plotë ndaj maxhorancës. Është shumë normale që ata të takojnë cilindo nga drejtuesit e pozitës dhe opozitës. Maxhoranca ka një funksionalitet të plotë.

Pyetje: Edhe kur bien dakort për datën e zgjedhjes?

Kryeministri: Nuk ka asnjë dakortësi për shtyrjen e datës. Është tjetër takimi, të cilin nuk e konsideroj anormal. Unë fola për konsumin e plotë që i ka bërë vetes Presidenti dhe ajo është zgjidhja e tij, por koalicioni është më i gjëri që Shqipëria ka patur në historinë e tij.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›