E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot paradite, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha mori pjesë në konferencën kombëtare për prezantimin e dokumentit t

Sot paradite, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha mori pjesë në konferencën kombëtare për prezantimin e dokumentit të politikave për planifikimin hapsinor në Shqipëri. Në konferencë merrnin pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare pjesëmarrës në hartimin e këtij dokumenti, të shoqatave dhe grupeve të interesit në kë fushë dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

"Është një kënaqësi e veçantë për mua t'ju përshëndes përzemërsisht ju dhe hartuesit e projektit të dokumentit të politikave të planifikimit hapsinor në shqipëri, projektdokument i një rëndësie jashtëzkonisht të madhe dhe thelbësore për një nga reformat më të rëndësishme të vendit, atë të planifikimit hapsinor dhe administrimit të territorit. Reformë, e cila është e lidhur ngushtësisht me funksionimin e shtetit ligjor, me kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptarë, e lidhur ngushtësisht me shfrytëzimin racional në interes tëqytetarit dhe të mjedisit, e lidhur ngushtësisht me tregun dhe lirinë e tij.

Në këtë kontekst, dua ta përshëndes këtë akt si përpjekje serioze për të vendosur administrimin e territorit dhe planifikimin hapsinor mbi baza dhe kritere solide, shkencore dhe bashkohore, për ta shkëputur përfundimisht nga praktika e deritanishme e xhepave, e bulevardit, e qendrës për faktin e vetëm të çmimeve dhe të leverdive për çmime më të mëdha, duke harruar se qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë të kenë kushte normale jetese aty ku ata janë vendosur dhe jo interesat e ngushta të drejtuesve apo grupeve rreth tyre duhet të përcaktojë zhvillimin urbanistik. Ky duhet të jetë interesi i mbarë qytetarëve dhe banorëve të zonës.

Dëshiroj të falenderoj instuticonet ndërkombëtare, Bankën Botërore, USAID-in, për mbështetjen sumë të çmuar që kanë dhënë dhe japin në të gjitha këto aspekte, por edhe donatorë të tjerë.

Ne jemi në prag të zhvillimeve të mëdha, të reformave të thella dhe të vështira në këtë fushë, pa të cilat nuk mund të kemi një zhvillim të sigurtë në të ardhmen. Këto reforma duhet t'i japin përgjigje solide e përfundimtare decentralizimit të shpejtë të kompetencave. Asgjë më absurde nuk ka se të mendosh për një administrim të centralizuar të hapësirës së territorit. Shqipëria është modeli që fakton se kjo krijon kaos dhe jo zhvillim.

Përgjigje tjetër të rëndësishme që jep paketa ligjore është liberalizimi i procedurave për marrjen e lejeve të ndërtimit. Piramida Rama duhet të shembet me ligjin e ardhshëm. Ai ndërtoi një piramidë të vërtetë me lejet e ndërtimit. Duhet t'i kërkohet ndjesë ndërtuesve për mbitaksën që janë detyruar të paguajnë gjatë gjithë këtyre viteve, bazuar në modelin që po perëndon përfundimisht. Sot, këtu, nuk ka asnjë përfaqësues nga bashkia, të cilët do të ishin të mirëpritur, pasi kryetari i saj ka frikë nga rivalët. Kjo është në kompleksin e fajit.

Duhet të liberalizohen lejet e ndërtimit. Ligji i ri i urbanistikës, plani i rregullimit hapsinor duhet të vendosin modelin më transparent deri në mundësinë e marrjes automatike të lejes pas dorëzimit të dokumentave. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme. Nuk lodhem e nuk do të resht kurrë sëpërsërituri se për qytetarin shqiptar më e rëndësishme dhe më kryesore është që në çdo procedurë e akt zyrtarët e tij të përcaktojnë antikorrupsionin si kriterin e parë. Shqiptarët mjerisht janë njerëz të dënuar aspak nga bota, por nga zyrtarët e tyre, të cilët duhet të jenë shumë më aktivë në luftën kundër korrupsionit. Ne i zbritëm 15 shkallë, duhet të zbresim me shpejtësi shkallë të tjera.Çdo shkallë që zbresim lehtësojmë barrën e dënimit mbi qytetarët tanë, të cilët do të kishin shumë më tepër punë, shumë më tepër të ardhura dhe zhvillim nëse nuk do të ishte për këtë dënim që mbahet për shkak të korrupsionit. Ndaj dhe e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme nxjerrjen jashtë procedurave të korrupsionit në sistemin e lejeve të ndërtimit.

Zbatimi i ligjit duhet të njohë një ridimension të ri. Në këtë kontekst, ne po decentralizojmë dhe transformojmë policinë ndërtimore si një institucion totalisht të dështuar. Nuk ka asgjë më të rëndësishë sesa të kuptohet dështimi e të dalësh prej tij. Ky institucion dështoi për shkak të organizimit të tij të centralizuar. Nuk mundet që qeveria qendrore, në një shtet të lirë demokratik, të kontrollojë e administrojë territorin. Vetëm në diktaturë qeveria qendore kontrollon çdo gjë.

Dëshira për këtë ligj ka qenë që në fillim, por vështirësia jonë ka qenë për shkak të ligjit të ri për urbanistikën, sepse janë të lidhura. Megjithatë ne vendosëm të procedojmë, se ligji i ri i urbanistikës, si Kushtetuta e administrimit të territorit dhe urbanizimit të tij, dikton në mënyrë shumë taksative funksionet e inspektoriatit të ndërtimit. Pavarësisht nga kjo, meqenëse pas këtij diskutimi ligji i ri i urbanistikës bëhet e mundur nisja e konkretizimit të tij, menduam të mos presim por të kalojmë inspektoriatin e ndërtimit si një institucion të decentralizuar pranë bashkive, komunave dhe qarqeve, natyrisht, me një përgjegjësi të plotë për administrimin e territorit, por me një pamundësi reale për bllokimin dhe dhunimin e ligjit. Të dyja këto do të shkojnë njëra me tjetrën dhe ky ligj votohet javën e ardhshme në qeveri. Në këtë mënyrë fillon ristrukturimi i inspektoriatit dhe bëjmë një hap shumë të rëndësishëm, shkëputemi nga një model i dështuar dhe instalojmë një model të ri që duhet t'i kontribuojë suksesit të tij.

Hapa të tjerë të rëndësishëm janë bërë në drejtim të administrimit të territorit. Vetë reforma e ekstralegalitetit, reforma e legalizimeve përbën përpjekjen më të madhe për të vendosur rregull, ligjin, rregullim hapsinor dhe urbanizim në një milion e njëpesëqind mijë metër katror troje në shkallë vendi. ALUIZNI bëri tenderin më të mirë të fotografimit ajror dixhital të territorit. Kompletimi i këtij fotografimi do të bëjë të mundur administrimin në përputhje me ligjin të çdo pëllëmbe të territorit të vendit. Fotografimi është nga më silësoret dhe do t'u dorëzohet autoriteteve vendore, të cilat kanë dokumentin bazë të statusit të territorit që ato administrojnë. Në procesin e legalizimeve ky përbën një nga proceset më të sukseshsme në historinë 15 vjeçare të pluralizmit shqiptar. Kanë vetdeklaruar e shprehur dëshirën për legalizim të 273 mijë objekteve, nga të cilat 12 mijë janë pallate shtesa pallatesh, me një numër familjesh e apartamentesh që variojnë nga 120-125 mijë. Eventualisht numri i familjeve, të cilat do të legalizojnë pronën e tyre pa përfshirë zonën e bregut, varion nga 380 në 410 mijë, sipas të dhënave paraprake. Një Shqipëri e dytë vendoset nën ligj.

Duke përshëndetur edhe një herë të gjithë ata që morën pjesë në hartimin e këtij dokumenti, dua t'ju siguroj se për qeverinë dhe qeverisjen në tërësi administrimi i territorit, zhvillimi hapsinor mbi bazën e një plani përbën një përparësi madhore. Presim ligjin e ri të urbanistikës si Kushtetutën e territorit të vendit në mënyrë që t'i japim fund e të ndahemi nga një periudhë zhvillimi kaotik, abuziv dhe shumë të dëmshëm për qytetarët shqiptarë. Gjithashtu për qytetarët e Tiranës, të cilët thithin pluhurin dhe ndotësit e mjedisit në shkallën më të lartë e të papranueshme për shkak të këtij zhvillimi kaotik dhe të mungesës së respektit ndaj tyre të autoriteteve vendore, të cilët kanë dalë e flenë nëpër muzeume, pasi e kanë gjetur më të pastër ajrin e periferisë së muzeumeve të komunave dhe që Tirana dhe mbarë qytetet e Shqipërisë të zhvillohen në mënyrë të harmonishme."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›