E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas konfliktit në qendrën e votimit në Pogradec, nipërit e 63-vjeçarit i shkojnë në shtëpi komisionerit, i rrahin gruan dhe djalin

Ditën e sotme, në një qendër votimi në Pogradec u regjistruan tensione mes një 63-vjeçari të identifikuar si Luan Tollozhina dhe anëtarit të komisionit të forcës politike të PS, 52 vjeç, në këtë qendër votimi.

63-vjeçari dhunoi anëtarin e komisionit të Partisë Socialiste, pasi vajza e Tollozhinës, ka pasur një debat me 52-vjeçarin në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues.

Policia njoftoi më herët se Tollozhina u arrestua dhe akuzohet për veprat penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve ne zgjedhje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.

Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pasi ditën e sotme rreth orës 10:30, Tollozhina ka hyre në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasin E.G 52 vjeç (me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë) në këtë qendër votimi.

“Ky shtetas e ka goditur për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, (e bija e shtetasit L.T)  ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin E. G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues”, vijon njoftimi i policisë.

Por konflikti nuk është mbyllur me kaq. Siç njofton policia, nipërit e Luan Tollozhinës, rreth orës 13:00, shtetasit R. T., dhe E. M., D. M., pas konfliktit të  ndodhur në qendrën e votimit nr. 3901, kanë shkuar në banesën e shtetasit E. G., 52 vjeç, (komisioner i kësaj qendre votimi), dhe kanë goditur  familjarët e 52-vjeçarit (bashkëshorten dhe djali).

Djali i 52-vjeçarit po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja  e 52 vjeçarit ndodhet në ambientet e Komisariatit për të dhënë kallëzim.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe kapjen dhe shoqërimin e këtyre  shtetasve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›