Pas padisë për Sheshin Skënderbej, Basha kërkon nga Këshilli Bashkiak të miratojë punimet
Kur vjen në pushtet me të tilla zgjedhje, mund të bësh çtë duash. Lulzim Basha vendosi me mendjen e tij të ndryshojë projektin për Sheshin Skënderbej, duke shkaktuar një dëm prej thuajse 5 milion euro. Si në çifligun e tij, Basha veproi duke shkelur ligjin. Por kur këshilltarët socialistë dorëzuan në prokurori një padi ndaj tij për punimet në shesh, Basha ka vendosur që të fusë në Këshillin Bashkiak një vendim për miratimin e punimeve. Çdokush e di që këto punime tani janë drejt fundit.
Por shkeljet e gënjeshtrat e Bashës nuk kanë të sosur. Duke buzëqeshur si zakonisht u tha shqiptarëve se po dorëzon disa dosje për hipotekim. Tani nuk guxon të deklarojë se për cilat objekte bëhet fjalë, për shkak se gjithçka është mashtrim. Ka dorëzuar një dosje me pallate, të cilat kishin marrë leje shfrytëzimi në bashki, por që kishin mbetur pezull në hipotekë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur ky pushtet e ka luftuar bashkinë e mëparshme me çdo mjet.