Pas presidentit Pacolli, aksidentohet edhe ministri Rexhepi

Pasi para pak ditësh, një aksident automobilistik ka shoqëruar ditët e para të punës së presidentit kosovar, Bexhet Pacolli, një i tillë i ka ndodhur edhe ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi.
Lajmi është bërë me dije nga mediat kosovare, sipas të cilave, makina e tij është përplasur me një zyrtar të EULEX-it.
Mësohet se aksidenti ka ndodhur në Prishtinë dhe se për fat të mirë, ashtu si edhe në rastin e Pacollit, ministri nuk ka pësuar asnjë lëndim.
Por edhe njerëzit e tjerë të përfshirë në këtë aksident, nuk kanë pësuar lëndim.
Bëhet me dije, se për rreth një orë, dy makinat e aksidentuara kanë qëndruar në mes të kryqëzimit te semaforët përballë Bankës Qendrore të Kosovës, kohë kjo, që ato të transportoheshin dhe të sqaroheshin rrethanat e ngjarjes.