“Pas shkolle” edhe në Gjirokastër, 8 shkolla pjesë e programit mësimor, edukativ dhe krijues

Programi “Pas Shkolle” do të zbatohet edhe në Gjirokastër ,ku për këtë nismë janë përzgjedhur gjithsej 8 shkolla. Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër-Libohovë, Etleva Yzo, bëri të ditur se programi nuk do kufizohet vetem ne orët mesimore.
“Janë përzgjedhur tetë shkolla për të zbatuar programin pas shkolle, i cili futet për herë të parë. Për klasat nga e para në të pestë, programi do të synojë në bërjen e detyrave të shtëpisë, pra në përforcimin e njohurive që kanë marrë nxënësit. Kjo do të bëhet me dëshirën e prindit. Prindi do të aplikojë nëpërmjet sistemit SNIP”, tha Etleva Yzo Drejtoreshë e Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër-Libohovë
Krahas aktiviteteve mësimore, programi parashikon edhe zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe krijuese. Nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin orë vizatimi, kërcimi, arti dhe zejesh, duke e shndërruar kohën pas përfundimit të mësimit në një hapësirë për zhvillimin e talenteve dhe aftësive të tyre.
“Programi pas shkolle konsiston jo vetëm në përforcimin e njohurive akademike të nxënësve, por konsiston edhe në krijimin e klubeve për art dhe zeje, në klube të ndryshme sipas talenteve të nxënësve. Do të grupohen nëpër shkolla dhe e gjithë procedura e punonjësve është përcaktuar qartë: cilët do të jenë, kush do të punojë me këta fëmijë, cilët kanë prioritet për të punuar me fëmijët. Programi pas shkolle synon t’u ofrojë nxënësve mundësi të reja për mësim dhe zhvillimin e aftësive dhe talenteve të tyre”, tha ajo.
Përfshirja e shkollave në këtë program pritet t’i japë një tjetër dimension kohës së kaluar nga fëmijët pas përfundimit të mësimit.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/