Pas zgjedhjes së Bashës, Meta takon Ramën
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u takua në selinë e Partisë Socialiste me kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama. Takimi erdhi fill pas shpalljes së Lulzim Bashës kryetar i ri i Partisë Demokratike.
Konferenca me gazetarët
Z. Meta, çfarë keni diskutuar me z. Rama gjatë këtij takimi?
Ka qenë një bisedë më shumë verore se sa politike.
Megjithatë, kanë kaluar tre javë nga momenti i fillimit të punës për ndërtimin e qeverisë së re. A e keni diskutuar për këtë temë?
Për këtë mund të pyesni Kryeministrin e zgjedhur.
A e keni marrë në dorëzim programin e ri qeverisës për 300 ditët e para?
Natyrisht, që do gjë do të bëhet publike në kohën e duhur.
Z. Meta a keni një koment për vendimin e Kolegjit Zgjedhor që e cilësoi të paligjshëm procesin e rinumërimit të votave nga KQZ-ja për Qarkun e Lezhës?
Transparenca është mjaft e rëndësishme, por gjithmonë sipas ligjit dhe kodi ka qenë shumë i qartë se procesi i hapjes së kutive mund të bëhet vetëm me 5 vota të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pra, këtë kompetencë mund ta ketë vetëm Kolegji Zgjedhor, në kushtet kur gjysmë-KQZ-ja ka vetëm janë katër anëtarë. Pra, Kolegji ka marrë vendim të qartë ligjor dhe kushdo që nuk është dakord me këtë vendim ndjek rrugën që përcakton ligji.
Çfarë prisni nga Kolegji Zgjedhor lidhur me kërkesën ankimore që ka bërë LSI-ja për rezultatin e Qarkut të Kukësit?
Unë pres vetëm zbatimin e ligjit. Faleminderit.