Si reagoi Papa Pali VI për pushkatimin Dom Shtjefën Kurtit
Zbardhet informacioni sekret i Ministrisë së Brendshme
Nga Luan Shtëpani
Në prill të vitit 1973, gjatë një takimi me besimtarë në Pulia të Italisë, Papa Pali VI krejt papritur dha një mesazh për besimtarët shqiptarë të cilët ishin të privuar të kryenin ritet fetare. Posti dhe etika nuk ja lejonin të bënte publike dhe shkakun për të cilën ai theu rregullat duke dalë nga tema dhe duke u marrë me hallet e shqiptarëve nën komunizëm. Por, shumë njerëz e dinin të vërtetën. Shkak ishte bërë lajmi i pushkatimit të Dom Shtjefën Kurtit, sepse kishte guxuar të pagëzonte një fëmijë. Kjo ngjarje do të shoqërohej me protesta të emigrantëve në botë ku ajo pranë Selisë së OKB kishte përfunduar me ndërhyrje të dhunshme të policisë.
Kush ishte prifti katolik
Dom Shtjefën Kurti lindi në Prizren. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa gjimnazin në qytetin e Shkodrës. Studimet teologjike i filloi në Austri, për ti vazhduar më tej pas Luftës së Dytë Botërore në Romë. I arsimuar në Austri e Vatikan për teologji, pas studimeve emërohet në Gjakovë. Do të reagonte fort pas përballjes me realitetin shtypës dhe vrasës që shteti i mbretërisë së dytë të Jugosllavisë ushtronte mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare në trevat e saj në Kosovë. Në këtë periudhë mbledh fakte dhe dokumenta për gjenocidin. Materiali denoncues i dorëzohet sekretarit të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Ky material bëri që Lidhja e Kombeve të hapte një hetim ndërkombëtar duke ngritur një komision të përbërë nga diplomatë. Mbretëria e Jugosllavisë për të amortizuar situatën, emëroi pranë kësaj organizate si ambasador fituesin e çmimit Nobel i cili i bindi anëtarët e komisionit që ky dokument të konservohej. I kërcënuar me jetë, Dom Shtjefën Kurti në 1930 vjen në Shqipëri. Në 1938 qëndron në Tiranë, ku dhe merr detyrën Famullitar- Dekan i Kishës Katolike për kryeqytetin.
Letra për Papën
Në shtator 1946 ai i shkruan një letër prekëse Papës të dërguar në mënyrë të fshehtë, ku e informon se kleri në Shqipëri po jeton në një epokë të vërtetë persekutimi e dhunimi. Aktivitetet tona janë eliminuar. Janë arrestuar meshtarë dhe një numër i madh i popullsisë katolike dhe myslimane. Nuk ekziston asnjë lloj lirie, as e shprehjes, as e mendimit, as e shtypit. Kush do të guxonte të kundërshtonte, do të zhdukej nga shoqëria njerëzore pa ditur as ku do të përfundonte. Me tej, Dom Shtjefën Kurti shkruan se shumë gjëra mbeten për tu thënë dhe se ka nxituar të hidhte këto rreshta, që të mos kapej në aktin e të shkruarit.
Gjyqi
Dom Shtjefën Kurti ftohet nga qeveria komuniste që të drejtojë Kishën Unite Katolike të Shqipërisë me kushtin që ajo të mos varej nga Vatikani, po të bëhej një Statut i ri ku të shkruhej që Kisha Katolike të varej nga Qeveria shqiptare. Ai nuk e pranon, dhe për pasojë arrestohet, duke u shpallur agjent i zbulimeve të huaja. Dënohet nga një gjykatë speciale ushtarake. Nga pushkatim i bëhet 20 vjet burg. Lë qelinë e burgut më 1963, nga amnistia. Vjen në Tiranë. Pas shumë vitesh në burg emërohet si drejtues i të njëjtës kishë që dikur e kishte ndërtuar vetë në Krujë. Por, ditët do të bëheshin më të vështira për priftin katolik. Pas mbylljes së dhunshme të institucioneve e objekteve fetare ai do të punonte në kooperativë, deri në 1970 ku e arrestojnë për herë të dytë. Regjimi i kohës ishte informuar se ai bënte fshehurazi rituale fetare siç ishte pagëzimi i fëmijëve të sapolindur. Në të vërtetë ai e bënte këtë gjë, të cilën e ka pranuar dhe në sallën e gjyqit. Kështu pra, në vendimin Nr.54 të 31 korrik 1971 të gjykatës së Krujës do të dënohej me vdekje. Dy vjet pa e marrë vesh askush të vërtetën. Në vitin 1973 RAI do të njoftonte se në Shqipëri është pushkatuar një prift, sepse ka pagëzuar një fëmijë. Ndërsa Radio Vatikani e konfirmoi vrasjen në mars 1973.
Një shkrim i ZP më 5 prill 1973
Në një shkrim në gazetën Zëri i Popullit, me titull Vatikani dhe fashistët i kanë duar e shkurtra në Shqipëri, sulmohet Vatikani për propagandën e tij kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Në artikull bëhet me dije se ditët e fundit Selia e Shenjtë ka ndërmarrë një fushatë të gjerë shpifjesh dhe trillimesh e cila ka për qëllim të keqinformojë dhe të ngrejë opinionin publik kundër vendit tonë. Më tej shkruhet se radioja dhe hierarkët e lartë krishterë na akuzojnë për terrorizëm fetar se autoritet shqiptare paskan urdhëruar vrasjen e një ish prifti katolik që sipas tyre na paska qenë një shërbëtor i vërtetë. Me lot e vaj ajo na thotë se Papa vetë po lutet ditë e natë që shërbëtorit besnik të zotit nga Shqipëria ti prehet rehat shpirti në parajsë. Më poshtë shkruhej se Vatikani dhe fashistët i kanë duart e shkurtra në Shqipëri. Populli shqiptar ua ka treguar me kohë vendin dhe ai qëndron kurdoherë vigjilent dhe i gatshëm të dërrmojë çdo synim e orvajtje për të përlyer emrin e mirë të Republikës Popullore të Shqipërisë, për të influencuar mbi të, ose për të prekur sovranitetin e saj. Ne u themi në mënyrë të prerë dhe me vendosmëri këtyre zotërinjve që ti mbajnë duar larg nga Shqipëria.
Informacioni sekret i Ministrisë së Brendshme
Informacioni mban datën 9 prill 1973. Në këtë informacion raportohet se me 1 prill ne Selinë e OKB-së është organizuar një demonstratë në shenjë proteste duke shfrytëzuar vrasjen e priftit. Në këtë protestë kanë marrë pjesë 150 vetë, kryesisht katolikë të arratisur nga krahinat e veriut të cilët mbajtën në duar pankarta, hodhën parrulla kundër pushtetit popullor dhe shpërndanë një promemorie të Komitetit Shqipëria e Lirë. Po ashtu, raportohet për shkrimet në gazetat amerikane dhe për sulmet e Papës ndaj persekutimeve fetare në Shqipëri. Paralajmërohet se do të ketë një tjetër demonstratë të përmasave më të mëdha.
Kalvari i vuajtjeve
Kalvari i vuajtjeve për familjarët e tij nuk mbyllet këtu. Nipi i Dom Shtjefën Kurtit, z. Nikolin Kurti është shprehur për abc/ STORY, emision i gazetarit Ferdinand Dervishi, se trupi i tij ishte dërguar në morgun e spitalit të Tiranës për të shërbyer si kadavër për nxënësit e Mjekësisë. Këtë ai e bazon në një dokument që gjendet në MPB. Sipas tij, kjo është një pistë kriminale, shumë e ulët dhe jashtë njerëzore, sepse duhet të bëhej me lejen e të afërmve të tij. Ndërsa eshtrat sipas z. Kurti ndodhen në një parcelë në Tufinë në një vend të paidentifikuar.
Kjo pra është në pak radhë historia e jetës dhe vrasjes së Dom Shtjefën Kurtit. Kontributi i tij në shërbim të fesë është vlerësuar maksimalisht nga autoritetet më të larta kishtare. Në emër të këtij kontributi dhe sakrificës që i kushtoi dhe jetën, ka ardhur koha që familjarët të mësojnë të vërtetën se ku gjenden eshtrat e Dom Shtjefën Kurtit, e vërtetë e cila gjendet në memorien e të gjithë atyre që u bënë dëshmitarë të kësaj ngjarje.