Pas zgjedhjes së Haxhiut, Kuvendi i Kosovës ndërpret seancën për 30 minuta

Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë për 30 minuta, pasi partitë nuk kanë arritur dakordësi për mënyrën e votimit të nënkryetarëve. Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se partitë parlamentare kanë mospajtime sesi të votohet. Disa duan që të votohen të gjithë në pako, e disa jo.
“Prandaj edhe i ftoj grupet parlamentare që të vijnë në zyrën time. Në ndërkohë, kërkoj nga administrata e Kuvendit që të na njoftojë me formën e propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvend, në qoftë se është në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës apo jo. Pra, këtë konfirmim e marrim pas pak. Nëse nuk është në linjë me Kushtetutën, natyrisht që zbatohet rregullorja e Kuvendit’’, tha ajo.
Për postet e nënkryetarëve, Vetëvendosje ka propozuar Ardian Golën, PDK-ja Vlora Çitakun, LDK-ja Kujtim Shalën, ndërsa nga komuniteti serb është propozuar Sllavko Simiq dhe nga komunitetet joshumicë Emilja Rexhepin.