E Diel, 1 Nëntor 2026

Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas marrëveshjes me LDK-në, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare me 62 vota pro!

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 62 vota pro. Kundër votuan 16 deputetë, ndërsa 13 abstenuan.

Haxhiu ushtron edhe detyrën e presidentes në detyrë të Kosovës që prej 5 prillit dhe do ta mbajë këtë funksion deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Ajo ka drejtuar edhe legjislaturën e dhjetë, e cila u shpërnda më 1 korrik 2026.

Pas zgjedhjes së kryetares, seanca vijoi me propozimet për nënkryetarët e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje propozoi Ardian Golën, PDK propozoi Vlora Çitakun, LDK propozoi Kujtim Shalën, ndërsa nga komuniteti serb u propozua Slavko Simiç.

Me zgjedhjen e kryetares dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe i hapet rruga formimit të qeverisë së re dhe më pas zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Pavarësisht se Vetëvendosje ka deklaruar se i ka 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë, procesi për zgjedhjen e presidentit mbetet i hapur. Marrëveshja e arritur me LDK-në për kandidimin e Bekim Sejdiut është vënë në pikëpyetje pasi gjashtë deputetë të kësaj partie kanë dalë kundër.

Aktualisht, Vetëvendosje ka 53 deputetë dhe mbështetet edhe nga 10 deputetë të komuniteteve joshumicë. Me deputetët e LDK-së që mbështesin marrëveshjen, numri i votave arrin në 74, ndërsa PDK dhe Aleanca nuk kanë dhënë mbështetje për kandidaturën e Sejdiut.

Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me 80 vota në dy raundet e para. Nëse kjo shumicë nuk arrihet, procesi kalon në raundin e tretë, ku mjaftojnë 61 vota, por vetëm nëse në sallë janë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Ndërkohë, Albin Kurti ka deklaruar se bisedimet me forcat politike do të vazhdojnë për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe për të shmangur shkuarjen në zgjedhje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›