Pasaportat biometrike, Dobjani: Shtoni punonjësit
TIRANE - "Problematikat më të fundit të vërejtura në zyrat e aplikimit për letërnjoftim dhe pasaportë biometrike krijojnë paqartësi dhe sjellin sorollatje të aplikantëve". Të paktën kështu shprehet Avokati i Popullit, Ermir Dobjani në një rekomandim të dërguar pak ditë më parë ministrit të Brendshëm Bujar Nishani dhe kryeministrit Sali Berisha. Në rekomandim, Dobjani kërkon nga ata marrje masash për rritjen e numrit të punonjësve dhe posteve të punës për realizimin e aplikime për letërnjoftime dhe pasaporta biometrike, si edhe afishim në këto ambiente të orareve faktike të punës dhe dokumente e nevojshme që duhet të paraqesin aplikantët. Mësohet se rekomandimi drejtuar kreut të qeverisë dhe kreut të Ministrisë së Brendshme erdhi pas një inspektimi të Avokatit të Popullit në 11 Njësitë Bashkiake të Tiranës, në Bashkinë Vorë, Kamëz dhe Durrës, si dhe në komunat Farkë, Paskuqan dhe Kashar. Në disa zyrave të inspektuara, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, kanë evidentuar faktin se në derën hyrëse apo edhe në ambientet e brendshme nuk kishte afishime lidhur me orarin në të cilin qytetarët mund të aplikonin, si edhe dokumentacioni që u nevojitej për aplikim. "Në lidhje me mosafishimin e dokumentacionit të nevojshëm për t'u paraqitur në momentin e aplikimit, krijohet një lloj paqartësie që pashmangshmërisht sjell sorollatje të aplikantëve sidomos në minibashkitë ku kishte radhë, por edhe lodhje për punonjësit përkatës, që duhet t'i japin shpjegime verbale qytetarëve", theksonte Dobjani. Gjithashtu, Avokati i Popullit evidentonte fluks të aplikantëve në disa prej zyrave të inspektuara, ku numri i punonjësve ka qenë më i madh, ndërsa tashmë ishte reduktuar. ar.ba.