E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Pasaportat e arta”, Kreu i Partisë së Lirisë: E dini fatin e nismave anti-Meta! Koalicioni me Berishën ide e mrekullueshme

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një konferencë për media ka komentuar draftin e mazhorancës për ish-spiunët e sigurimit të shtetit. Duke e paralajmëruar Ramën për fatin e nismave anti-Meta, Kreu i Partisë së Lirisë nuk ka ngurruar të kujtojë ato që i quan aferat e inceneratorëve për të cilat sipas tij përgjegjësit do japin llogari.

“Të gjithë e dinë fatin e nismave anti-Meta. Më argëton çdo nismë e re. Çdo ligj që do të bëjë kundër Metës dhe Berishës, ne do ia fusim aty ku i shijon më shumë. Ai do të përgjigjet sipas ligjeve që ka bërë vetë, që ka firmosur vetë dhe sipas firmave që ka hedhur tak-tak. Kemi nisur një proces bazuar në fakte për inceneratorët dhe jo vetëm. Të gjithave do t’i shkojmë deri në fund. Këtyre parullave, ka patur burra të tjerë të cilët bënin si Ismail Qemali një herë e një kohë dhe kishin mendjen për të vjedhur në dogana e tatime. Ky edhe më keq do e ketë fundin e vetë. Ne do të vijojmë angazhimin e fortë”, tha Meta.

Pyetur lidhur me deklaratën e bërë nga Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit për një koalicion me Partinë e Lirisë, Meta deklaroi se ideja e Berishës për idenë e primareve është e mrekullueshme ndërsa theksoi se koalicioni do të ishte zgjedhja e duhur për të gjetur kandidatët më të mirë.

“Kjo është çështje me rëndësi, në kushte të një pushteti vendor ilegjitim, ku opozita s’ka asnjë këshilltar në Shqipëri, i ftoj opozitarët të forcojnë monitorimin ndaj vendimeve të Këshillave Bashkiake, kudo ka afera lokale sepse s’ka kontroll nga opozita, dhe ne padyshim që do bashkëpunojmë me forcat e vërteta opozitare. Përshëndes idenë e primareve që ka futur Berisha, dhe në rastin e një koalicioni do ishte ide e mrekullueshme për të zgjedhur kandidatët më të mirë. Do bashkëpunojmë në mënyrë më transparente, me rëndësi qytetarët të marrin në dorë pushtetin vendore, dhe do bëjmë përpjekje që kjo këtë ndodhë para zgjedhjeve vendore. Përgjegjës është vetëm Edi Rama për këtë situatë”, tha Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›