Elbasan/ Meta: Policia është e mpirë përpara krimit, qeveria është e marrë peng

Puna e Policisë së Shtetit ka qenë në qendër të një takimi që kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar me strukturat e kësaj partie në Elbasan. Sipas tij, Policia e Shtetit ka lidhje me krimin dhe se është e mpirë përpara krimit.
“Qytetarët kanë qenë dëshmitarë të tronditjeve të mëdha të rendit dhe të sigurisë. Në 24 orë, 3 atentate në Shqipëri, 4 viktima, përfshirë edhe Elbasanin. Në 8 muaj, 40 e ca atentate. Specializimi i policisë mbledhja e gëzhojave. Jo se janë të paaftë, por se policia është e mpirë për shkak të lidhjes me krimin. Nëse polici bën detyrën ka pasoja. Promovohen ata që nuk bëjnë detyrën. Kanë tronditur edhe Evropën, është kosto edhe për liberalizimin e vizave të Kosovës me BE-në”,- tha Meta.
Kreu i PL-së, akuzoi sërish qeverinë, lidhur me investitorëve strategjikë, të cilët, sipas tij, “janë klientë të qeverisë”.
“Të parët në Evropë për kontrata koncensionare. Shumica janë emra të lidhur me qeverinë, të kritikuar nga FMN, BE dhe nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Janë rreziqe që i merr përsipër populli shqiptar. Ka ligj për investitor strategjik. Qeveria shpik investitorë strategjikë që janë klientë të qeverisë dhe që operojnë në emër të saj. Borxhi sa vjen dhe përkeqësohet sepse merret për qëllime luksi dhe projekte që nuk gjenerojnë të ardhura”- Meta.
Sipas tij, shtatori do të jetë një pranverë e vërtetë e demokracisë dhe se qeveria do të përballet me popullin.
“Shtatori do të jetë një pranverë e vërtetë e demokracisë. E përmbysjes së këtij regjimi hajdutokrat, që të vetmen rrugë shikon shkatërrimin e popullit shqiptar. Po trafikojnë të gjitha interesat e këtij vendi, për arsye se janë peng”, deklaroi Meta.
/rtsh.al/