Pasi i sistemoi tek “hallat e dajat” të prekurit nga zjarri, prefekti i Tiranës propozon ngritjen e grupeve vullnetare

Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka mbledhur Komisionin e Mbrojtjes Civile të Qarkut, pas zjarrit të rënë dy ditë më parë tek kompleksi “Arlis”, pranë QSUT-së
Një ndër kërkesat e tij në këtë takim, ka qenë dhe ngritja e grupeve vullnetare kundër zjarrit nëpër bashki.
Postimi i Hajdarit
Sot mblodha Komisionin e Mbrojtjes Civile te Qarkut Tirane!
Objekti i diskutimeve ishte bashkërendimi i veprimtarisë së institucioneve vendore dhe qendrore në nivel vendor, për parandalimin e zjarreve, nepermjet masave te gjithe institucioneve nen drejtimin e Prefektures. Po ashtu u diskutua përballimi e emergjencave të mundshme gjatë sezonit pranverë–verë 2026.
U theksua rëndësia e koordinimit ndërinstitucional, me qëllim angazhimin e të gjitha strukturave në nivel qarku dhe bashkie, për marrjen e masave të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse në parandalimin e zjarreve gjatë periudhës së nxehtë në vijim.
Gjithashtu, u vlerësua roli i shërbimit zjarrfikës për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar, duke evidentuar nevojën për përmirësimin e trajtimit të tyre në aspektin ligjor.
Në takim u kërkua gatishmëri maksimale e të gjitha burimeve njerëzore dhe mjeteve, për të garantuar efikasitet të lartë në menaxhimin e emergjencave, me synimin për minimizimin e dëmeve.
Detyrat prioritare të përcaktuara janë:
Vijimi i sistemimit të banorëve të prekur nga zjarri i datës 14.04.2026 në Kompleksin “Arlis”, si dhe ndjekja e procedurave për kompletimin sa më të shpejtë të strukturave të MZSH-ve me mjete dhe uniforma;
Ngritja dhe funksionimi i grupeve vullnetare pranë çdo bashkie, të angazhuara në ndërhyrjen fillestare për shuarjen e zjarreve, si dhe përfshirja aktive e kryetarëve të njësive administrative në terren;
Përditësimi i planeve të reagimit dhe njoftimit në kohë reale, si dhe përcaktimi i masave për zbatimin efektiv të tyre;
Pjesëmarrja aktive e kryetarëve dhe stafit të njësive administrative në menaxhimin dhe përballimin e situatave që ndodhin brenda territorit të tyre.
Rritja e nivelit të parapërgatitjes së strukturave dhe intensifikimi i fushatave të sensibilizimit të publikut.
Prefekti i Tiranës u bë viral në rrjetet sociale teksa bëri një deklarata gjatë një inspektimi në pallatin që po digjej.
Pyetja e gazetares: Ku do të qëndrojnë mbrëmjen e sotme banorët, pasi nuk mund të rikthehen në apartamentet e tyre?
Hajdari: Kjo është një gjë që nuk më ka dhënë shumë preokuptim, që të jem i sinqertë me ju. Kam urdhëruar Bashkinë e Tiranës dhe Emergjencat Civile që ata (banorët) të kenë mundësi të jenë në ambiente të tjera. Por sigurisht, jam i bindur që nuk këtë nevojë sepse ne jemi shqiptarë. Kanë kushërinj, halla, daja, por ne jemi gati.