E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasiguri politike në Greqi, sot Samaras merr mandatin për qeverinë

ATHINE - Skena politike greke u shemb dje në mbrëmje, por një peisazh i ri i qartë nuk ka lindur ende. Ndryshuan krejtësisht harta elektorale e vendit dhe pamja e Parlamentit grek, ku siguruan hyrjen 7 parti. 

Vota e 6 Majit, votë kundër masave të kursimit

Rezultati i votimit ishte një "shuplakë zemërimi" e grekëve, për bashkëpunimin dy-partiak Demokracia e Re dhe PASOK, por jo vetëm. Ky rezultat flet qartë për refuzim të masave të ashpra të kursimit, por njëherësh vë në dyshim dëshirën e shprehur të qytetarëve për qëndrimin e Greqisë në Euro. Për këtë flet futja në Parlament e forcave që kundërshtojnë me forcë marrëveshjen e huasë dhe masat financiare. Duket se qytetarët e lodhur, zgjodhën të votojnë kundër masave shtrënguese, zgjedhje që nuk shkon paralel me kushtet për qëndrimin e vendit në eurozonë, ndaj mund të thuhet se ky rezultat shkakton pasiguri të reja politike dhe ekonomike.

Sipas rezultateve të pjesshme zyrtare, partia Demokracia e re kryeson me një përqindje shumë të dobët, ndërsa PASOK u zhyt thellë në humbje, duke fituar madje më pak se gjysmën e mbështetjes së vitit 2009, me rezultatin më të ulët historik, kur drejtues të lartë si Anna Diamantopulu ose ish kreu i Parlamentit Filipos Petsalnikos, mbeten jashtë tij.  

Fituesi i zgjedhjeve është askush tjetër përveç koalicionit të majtë SYRIZA, i cili u ngjit në vendin e dytë, një forcë që mbron të drejtat e emigrantëve. 

Mbresëlënëse është edhe prania e Grekëvë të Pavarur të Panos Kamenou, që e la Partinë Komuniste në pozitën e pestë. Për herë të parë në Parlament hyjnë ekstremistët neonazistë të Agimit të Artë, fakt që nuk përbën aspak lajm të mirë për emigrantët.

Në mesditë Antonis Samaras shkon te Presidenti

Pasi kryetari në ikje i Parlamentit, Filipos Petsalnikos t'i dorëzojë sot në mesditë Presidentit të Republikës Karolos Papulias rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, do të fillojë menjëherë procesi i krijimit të qeverisë së re.

Do të ftohet në Pallatin Presidencial udhëheqësi i partisë së parë në këto zgjedhje, Antonis Samaras, për të marrë mandatin e formimit të qeverisë. Samaras do të ketë në dispozicion tri ditë për të formuar një qeveri. Nëse kjo kohë nuk do të ketë sukses, Presidenti i jep mandatin kreut të partisë së dytë e nëse edhe ky dështon, e merr mandatin kreu i partisë së tretë.

Flasin për të mirën e vendit, por refuzojnë bashkëpunimin. Deklaratat e krerëve politikë: 

Kreu i Demokracisë së Re Antonis Samaras: Nuk do ta le Greqinë të paqeverisur. Iu bëj thirrje forcave me orientim proevropian se duhet një qeveri e shpëtimit kombëtar me 2 qëllime kryesore, një nga të cilët, qëndrimi i vendit në Euro. Ftoj të gjitha forcat që pranojnë rrjedhën europiane të vendit dhe nevojën për të ndryshuar politikën ekonomike. Unë e kuptoj zemërimin e botës, por partia jonë nuk do ta lerë vendin të paqeverisur.

Kreu i SYRIZA, Alexis Tsipras: Rezultati është një mesazh i revolucionit paqësor. Ne hedhim poshtë legjitimitetin e Memorandumit dhe brutalitetin e qeverisë së zonjës Merkel. Merkel ka për të kuptuar humbjen e politikës së kursimit. Qeveria fillojë dialogun për qeveri majtas. Ne zotohemi për të nderuar mandatin popullor për të ndërprerë Memorandumin e falimentimit.

Kreu i PASOK Evangelos Venizelos: Populli grek sot nuk dha një mandat të qartë për ndonjë forcë politike dhe me këto tregues është e vështirë të formohet një qeveri bashkëpunimi me forca pro-evropiane. Një qeveri koalicioni e sistemit dy-partiak nuk do të ketë legjitimitet. Një qeveri e unitetit kombëtar që përfshin të gjitha forcat, që shprehin besimin e tyre në orientimin europian, pavarësisht nga qëndrimi i tyre ndaj Memorandumit, duhet të studiohet si mundësi dhe ne do të marrim iniciativën në këtë drejtim".

Kreu i Së Majtës demokratike, Fotis Kouvelis: Nuk bashkëpunojmë me palët pro Memorandumit. Qëllimi ynë është që të ndryshojë zhvillimi i politikave dhe prioritetet sociale. Shqetësim është shpërndarja e drejtë e barrës.

Kreu i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos: Nuk punojmë me tradhtarë dhe kolaboracionistë. Partitë e së kaluarës tani janë një pakicë. Ne nuk marrim urdhra nga Schäuble dhe Fouchter si Samaras dhe Venizelos. Duhet të largohen! 

Kreu i Komunistëve Aleka Papariga: Ne i themi “Jo” çdo bashkëpunimi. Ne vazhdojmë betejën kundër partive pro-evropiane. 

Me këto qëndrime, duket se formimi i qeverisë nuk është aspak diçka e lehtë. Opinioni vendas dhe huadhënësit e Greqisë presin të mësojnë formulën e krijimit të saj, pasi e rëndësishme për të dy palët është, se në ç’masë do të marrin pjesë në të, forcat antimemorandum. Nga kjo varet vazhdimi i reformave dhe i ndihmës financiare për Greqinë. Në fund të fundit, nga konfigurimi i qeverisë së re, përcaktohet e ardhmja e Greqisë, në euro ose jashtë saj. 

Huadhënësit e Greqisë, në Bruksel dhe Berlin, shpresojnë megjithatë për një aleancë të mundshme ND dhe PASOK, si dy partitë e mëdha që kanë premtuar për të vazhduar me masat shtrënguese dhe reformat strukturore të vendosura nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian që nga viti 2010. 

Pas numërimit të 98% e qendrave të votimit në vend, përqindjet e fituara nga partitë politike dhe vendet që ato zenë në Parlament, sipas Ministrisë së Brendshme, janë si vijon:

Demokracia e re 18.94% ose 109 vende
SYRIZA 16,74% ose 52 vende
PASOK 13,23% ose 41 vende
Greket e Pavarur 10.58% ose 33 vende
Partia Komuniste 8.46% ose 26 vende
Agimi i Arte 6,97% ose 21 vende
Dimar 6.09% dhe 19 vende.
Duket se nuk do të jenë në parlamenti LAOS dhe Ekologët e gjelbër që kanë kapur normat 2.90% dhe 2.92%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›