E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subashi: Rrezikohet aplikimi i numërimit elektronik

TIRANE- Numërimi elektronik i votave në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm i ka ndarë në dysh anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas nënkryetares së këtij institucioni, Dëshira Subashi aplikimi i teknologjisë në procesin elektoral të 2013- ës është në varësi të verdiktit final të KQZ-së e cila me votë të cilësuar do të vendosë ta lejojë ose jo numërimin apo edhe identifikimin elektronik të zgjedhësve.

Pra, për Subashin kjo çështje është në varësi të KQZ-së pavarësisht faktit se mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord me konsensus gjatë amendimit të Kodit Elektoral.
“Do të uroja të ketë vullnet politik për ta zbatuar këtë dispozitë. Mund të ndodhë edhe ndryshe në mënyrën se si do të aplikohet dhe në mënyrën se si do të vihet në funksionim ky sistem elektronik. Bazuar në aktet e KQZ-së mund të bëjë kundërshti në aspekte të të funksionuarit, çka do të thotë që ekziston një mundësi që të mos bihet dakort për mënyrat se si do të funksionojë ky sistem elektronik”, - tha Subashi në një prononcim të djeshëm për “Albanian Screen”.

Një shqetësim tjetër i nënkryetares së KQZ-së është dhe fakti që institucionit ku bën pjesë i lihet dorë e lirë të kontraktojë pa tender firmat që do të ofrojnë këto 23 lloj teknologjish. “Uroj që kjo përgjegjësi të ushtrohet në mënyrë të përgjegjshme sipas ligjit, jo ashtu siç po ndodh sot në KQZ. Një përgjegjësi madhore për fatet e institucionit është e vogël se sa për një ecuri të procesit i cili është me pasoja për gjithë vendin. Kërkon përgjegjshmëri në zgjedhjen e kompanisë, monitorimin e kompanisë”, - tha Subashi.

Por ku shqetësim duket i pavend sipas anëtarit tjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmani, në një kohë kur politika e ka dhënë verdiktin. “Nuk ka arsye mos ta japim një votë cilësore. Ne përcaktojmë termat e referencës sipas Kodit Zgjedhor dhe kompania që e merr përsipër, nuk kemi ne, si anëtarë të KQZ, pse të kemi dyshime. Aktorët dhe faktorët kryesorë në hartimin e miratimin e Kodit kanë qenë forcat politike, kanë pasur një vullnet politik bashkëpunimi dhe besoj se kjo frymë do të jetë gjithandej”, - tha Osmani në prononcimin e tij të djeshëm për AS. Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore miratoi me konsensus pak ditë më parë futjen e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por të njëjtin konensus mazhoranca dhe opozita nuk arritën ta gjenin për çështjen e menaxhimit të kutive dhe konkretisht për rastet kur kutitë e materialeve zgjedhore duhet të hapen pas kërkesave ankimore të subjekteve politike.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›