Pasion dhe profesion! Saimiri, specialisti më i ri i përpunimit të qumështit në Radanj të Leskovikut

Është vetëm 21 vjeç, por i lidhur fort me profesionin e trashëguar nga i gjyshi.
Saimir Qaja është sot sipërmarrësi më i ri i përpunimit të qumështit në fshatin Radanj. Godina e hapur qysh në vitin 1997 është shtëpia e tij e dytë.
“12–13 vjeç [kur e pa për herë të parë si proces]. [Më tërhiqte] çdo gjë, mënyra e prodhimit, proceset e punës, mënyra si e përpunonim. Ajo që më tërhiqte shumë ishte mënyra artizanale e prodhimit. [Qumështin e mbledh] në zonën e Leskovikut dhe përreth. [Çdo ditë mbledh] 900 litra deri në 1 ton apo 1 mijë litra në periudhën maksimale. Deri në realizimin e produktit, procesi maksimal si i themi ne, mund të zgjatë deri 8–9 orë dhe kjo varet nga shumë faktorë. [Çdo ditë mund të prodhojë] deri në 200 kilogramë,” tregon Saimiri.
Puna më intensive e përpunimit të qumështit në djathë dhie e deleje është në periudhën maj–shtator, ndërsa për shkak të mungesës së lëndës së parë dhe kushteve atmosferike, periudha e dimrit është më e vështirë. Kjo nuk e ka tërhequr Saimirin nga pasioni dhe dëshira për t’u bërë një profesionist i vërtetë.
Në moshën 16-vjeçare ai realizoi një kurs dhe u specializua në industrinë e përpunimit të qumështit. I sigurt në punën që bën, Saimiri ka fituar besimin e sipërmarrësve të zonës, të cilët furnizojnë restorantet e tyre me djathin e deles dhe të dhisë që ai prodhon.
Rritja dhe zgjerimi i fermave në zonën e Radanjit dhe Leskovikut do të rritë sasinë e qumështit në këtë zonë dhe do t’i krijojë mundësinë Saimirit e shumë sipërmarrësve të rinj të perfeksionojnë profesionin e tyre në produktet e nënproduktet origjinale shqiptare.
/rtsh.al/