Pastrimi i parave, Xhafaj: Kemi legjislacion të mirë, problem zbatimi i ligjit

TIRANË, 15 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të Antikorrupsionit, Fatmir Xhafaj vlerësoi sot se Shqipëria ka një legjislacion të mirë, por ka probleme me zbatimin e ligjit dhe eficiencën e misioneve.
Gjatë tryezës publike me temë “Parandalimi i pastrimit të parave dhe korrupsionit transnacional”, Xhafaj vlerësoi punën e ekspertëve ndërsa shprehu gatishmërinë që këto kontribute të reflektohen në dokumentin analitik duke shërbyer më pas për t’i parë si indicie lidhur me Planin Kombëtar të Veprimit.
“Ky është thjesht një draft i dokumentit analitik, nuk është dokument final, është produkt i punës së ekspertëve jo i anëtarëve të komisionit. I gjithë ky proces është realizuar nga ekspertë që vijnë nga shoqëria civile nga universitetet publike dhe jo publike, misionet e pavarura dhe komuniteti i biznesit. Ky është një proces konsultimi nuk përfundon këtu”, tha Xhafaj.
Në tryezën e 7-të të organizuar nga komisioni me praninë e ekspertëve, Xhafaj tha se “ky është hapi i parë i një reforme kaq të gjerë dhe komplekse”.
“Te Plani Kombëtar i Veprimit do të përcaktohen masat konkrete legjislative e institucionale për ndërhyrje jo thjesht në legjislacion, por në procesin e zbatimit të ligjit. Ne kemi legjislacion të mirë, standard përgjithësisht ndërkombëtar të vlerësuar pozitivisht, problem që kemi si në fusha të tjera kemi problem me zbatimin e ligjit dhe eficiencën e misioneve.
Duhet të na shqetësojë sa eficient është zbatimi i ligjit”, tha ai.
/r.e/