Pasuria arkitekturore e Kukësit, arti shekullor i ndërtimit për kullat mes bjeshkëve

Për malësorët e aneve tona, kulla ishte jo vetëm një strehë për familjen, por simbol i mikpritjes, bujarisë dhe qëndresës. Vetë mënyra e ndërtimit të saj dhe planimetria janë një pasuri e rrallë.
Edhe pse një pjesë janë të rrënuara, ende përcjellin hijeshinë për nga mënyra se si janë ndërtuar dhe sa madhështi përcjellin edhe sot. Muret e gurit ngjasojnë me muret e kalave që arrijnë deri në një metër gjerësi.
Misin Doçi, banor në Arren thotë se ustallarët ishin nga Mirdita e për kullat është përzgjedhur gur i veçantë.
“Është vet lloji i gurit, dhe ustallarët kanë qenë mirditor”, u shpreh ai.
Punimi i gurit është shumë i vështirë por mjeshtërit ia kanë dalë gjithmonë për të nxjerrë të tilla kryevepra arkitekturore.
Vepra të tilla monumentale, duhet të studiohen e jo vetëm të ruhen thotë profesor doktor Shefqet Hoxha.
“Kulla ka shërbyer për banim, për mikpritje, për bisedime dhe lidhje traktatesh”, tha ai.
Kullat e të tilla përmasave janë ndërtuar thuajse në të gjitha fshatrat e krahinës së Lumës, veçanërisht në zonat malore të saj.
Gazetar: B. Muçmata
/rtsh.al/