E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pasuria e zonave të mbrojtura, institucionet kërkojnë bashkëpunim për mbrojtjen dhe menaxhimin e tyre

Qarku i Shkodrës vijon të mbetet një nga zonat më të pasura në vend për sa i përket trashëgimisë natyrore dhe zonave të mbrojtura, të cilat çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas dhe të huaj. 

Menaxhimi i tyre, megjithatë, mbetet një sfidë që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve. Këto çështje ishin në fokus të mbledhjes së Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, ku u diskutua mbi masat për ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurive natyrore. 

Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, tha se:  “Është detyra jonë që t’i mbështesim me të gjitha masat e nevojshme ligjore për të parandaluar prerjet e paligjshme të pemëve. Janë marrë mjaft masa për të minimizuar mundësinë e zjarreve ose për të lehtësuar aksesin nëpërmjet shtigjeve të hapura. Përmirësimi i infrastrukturës mbetet prioritet edhe për AKZM.” 

Bujana Xhindoli, përfaqësuese e AKZM-së, theksoi se:  “Tashmë ne kemi një platformë të dedikuar për shtigjet mjedisore, në të cilën janë publikuar të gjitha shtigjet e zonave të mbrojtura, shtigje që tregojnë gjatësinë e tyre, vështirësinë e tyre.” 

Drejtori i AdZM Shkodër, Agim Dardha, theksoi se monitorimi i zonave të mbrojtura nuk synon ndëshkimin, por bashkëpunimin me komunitetin. 

“Është një punë komplekse që duhet menaxhuar me shumë kujdes dhe qëllimi ynë kryesor nuk ka qenë ndëshkimi, pavarësisht se ligji e parashikon, por është bashkëpunimi.” 

Interesi për zonat e mbrojtura dhe monumentet natyrore në qarkun e Shkodrës po rritet nga viti në vit, duke e kthyer natyrën në një prej potencialeve më të rëndësishme turistike të veriut të vendit. 

Gazetar: Marjo Gjini 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›