E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës merr krahë në Hagë

Opinioni i GJND-së: Pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

Në Pallatin e Paqes në Hagë, pavarësia e Kosovës ka marrë krahët e ka fluturuar e lirë. Vendimi i shumëpritur i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë u ka dhënë përfundimisht fund pikëpyetjeve dhe hezitimeve të botës për të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur për të ardhmen e tij. Kjo gjykatë, në një votim 10 me 4 nga trupi gjykues, e ka cilësuar ligjërisht të drejtë shpalljen e pavarësisë, duke hidhëruar keq Serbinë, vend i cili ishte bërë pretekst që pavarësia të kalonte nëpër interpretimin e kësaj gjykate. Dhe parashikuesit më optimistë nuk e kishin menduar se vendimi i djeshëm do të ishte aq i qartë dhe aq i kuptueshëm për të gjithë dhe për ministrin serb, Jeremiç, që po e ndiqte në Hagë dhënien e vendimit. Gëzimi në Kosovë ka qenë i madh, ndërsa pritet që fill pas këtij vendimi dhjetëra vende të tjera të njohin pavarësinë e Kosovës. Interpretimi i kalkuluar dje nga gjykatësit e Pallatit të Paqes pritet tu japë zemër edhe disa vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur akoma Kosovën.

Opinioni i GJND-së

"Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare". Ishte kjo përgjigjja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të përgjigjet në pyetjen: "A ishte deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?"

Në emër të 15 gjykatësve të GJND-së, kryetari i saj, Hisashi Owada, bëri të ditur se gjykatësit kanë marrë parasysh të gjitha elementet e rëndësishme për këtë proces dhe kanë konstatuar se ky institucion e ka të drejtën që të japë mendimin juridik për çështjen e shtruar. Në shpjegimin që zgjati rreth një orë e gjysmë, japonezi Owada fillimisht përshkroi rrethanat që kanë sjellë deri tek shpallja e pavarësisë dhe rikujtoi dokumentet që janë nxjerrë lidhur me Kosovën. "GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", - theksoi Owada. Vendimi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur me 17 gusht të vitit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, është marrë me një shumicë të bindshme të votave të gjykatësve. 10 gjykatës ishin të këtij mendimi, ndërsa katër ishin kundër. Owada shpjegoi gjerësisht edhe mendimin e Gjykatës për pohimet e Serbisë dhe mbështetësve të saj se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstaton se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është nxjerrë me qëllim që t'i jepet fund pushtetit të Serbisë në Kosovë. Ajo parashikon administrimin e përkohshëm ndërkombëtar të Kosovës prej UNMIK-ut, i cili kishte për detyrë të ndihmonte krijimin dhe forcimin e institucioneve vendore. Gjykatësit ishin të mendimit se Rezoluta 1244 kishte karakter të përkohshëm dhe se nuk e ndalon zgjidhjen e statusit të Kosovës. Përkundrazi, parashikon krijimin e kushteve për një zgjidhje të përhershme. "GJND-ja konkludon se nuk mund të pranohen argumentet se Rezoluta 1244 parashikon ndalimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës", - theksoi Owada. Të këtij mendimi ishin 9 gjykatës të GJND-së, ndërsa pesë ishin kundër. Kryetari i Gjykatës konstatoi po ashtu se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim as me Kornizën Kushtetuese, të miratuar në kohën e UNMIK-ut.

SHBA: Është koha që Evropa të bashkohet për Kosovën

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili e ka cilësuar të rregullt Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe ka kërkuar nga vendet evropiane që të bashkohen me këtë vendim. Vendimi i GJND-së fuqishëm thekson se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është legale dhe këtë ne e mbështesim, - i ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Philip Crowley, agjencisë FP.

Tash është koha që Evropa të bashkohet ndaj së ardhmes së përbashkët, - ka theksuar zoti Crowley. Pak para vendimit të GJND-së, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, i ka telefonuar Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, dhe i ka riafirmuar mbështetjen e plotë për Kosovën demokratike dhe shumetnike, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Biden ka theksuar përsëri përkushtimin e pandryshuar të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe ka kërkuar që qeveria e Serbisë të punojë në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjeve praktike me Kosovën.

Sejdiu: Ditë e bekuar për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka quajtur ditë të bekuar për Republikën e Kosovës ditën e sotme, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në favor të Kosovës, duke thënë se shpallja e pavarësisë nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar. Ky mendim eksplicit iu përgjigj pozitivisht çdo pike të ngritur në favor të vendimeve, që ka marrë Kosova. Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës se Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë më të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi". "Mendimi i sotëm i GJND-së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të bazueshme që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj, nga gjithë bota demokratike, - tha Presidenti Sejdiu.

Jeremiç: Nuk njohim pavarësinë e Kosovës

Shefi i diplomacisë së Serbisë, Vuk Jeremiç, pas vendimit të GJND-së ka deklaruar se Serbia kurrë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia do të vazhdojë me luftën paqësore diplomatike për Kosovën, - ka thënë Vuk Jeremiç, për të shtuar se tash pason betejë e rëndë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë sot ka vendosur që të deklarohet vetëm për aspektin teknik të deklaratës së pavarësisë dhe praktikisht ka shmangur deklarimin për çështjen esenciale, nëse shqiptarët e Kosovës kanë pasur të drejtë të shkëputen nga Serbia, - ka thënë Vuk Jeremiç. Shefi i diplomacisë serbe ka pohuar se tani çështja do të shkojë në Kuvendin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, që do ti japë konkludim politik kësaj çështjeje.

OKB: Pa hapa provokativë pas GJND-së

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Bak Ki-moon, ka tërhequr sot vërejtjen kundër çfarëdo hapi provokativ pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia e Kosovës ishte legjitime. Sekretari i Përgjithshëm kërkon nga të gjitha palët tu shmangen çfarëdo hapave, që mund të shihen si provokues dhe që e shkatërrojnë dialogun, - tha Martin Nesirky, zëdhënës i zotit Ban Ki-moon. Sekretari i Përgjithshëm do ta dërgojë vendimin e GJND-së për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila kishte kërkuar mendimin e gjykatës për pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që ajo të përcaktojë se si do të veprojë më tutje në këtë çështje.

Moskë: Pozicioni rus ndaj Kosovës, i pandryshueshëm

Pozicioni i Rusisë kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse. Pozicioni ynë për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm. Ne mendojmë se zgjidhja e çështjes së Kosovës mund të arrihet vetëm me negociata ndërmjet palëve të interesuara, - përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

3 argumentet pro pavarësisë

Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtar

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›