E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP kompetenti për konfliktet e pronësisë

23/07/2010 Kuvendi miraton me shumicë votash ndryshimet në ligjin e pronave

Pesë rastet e nisjes së rishikimin e titujve të pronësisë nga agjencia kryesore

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje pas një seance maratonë ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Me 70 vota pro, dhe 1 abstenim kanë kaluar amendamentet e propozuara nga maxhoranca. Rreth 7 mijë pronarët që kanë probleme pronësie sipas vendimeve të ish-komisioneve të pronave do t’i drejtohen Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zgjidhjen e tyre. Kuvendi shqyrtoi gjatë seancës së djeshme me votat e mazhorancës ndryshimet e propozuara nga deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, lejojnë rishikimin e titujve të pronësisë kur: zbulohen rrethana të reja; vërtetohet se aktet shkresore në bazë të të cilit është dhënë vendimi të kenë qenë apo të jenë deklaruar më pas të pavërteta me vendim gjyqësor të formës së prerë; vendimi përmban një gabim material në fakt ose në ligj; zyrtarët që kanë dhënë vendimin kanë kryer vepra penale; vendimi është bazuar në një vendim gjyqësor ose akt të një organi tjetër, që ka ndikuar në marrjen e vendimit dhe më pas është ndryshuar. Këto ndryshime janë kundërshtuar ashpër nga deputetët e opozitës, të cilat i kanë cilësuar ato antikushtetuese, si dhe amendamente që cenojnë parimin e sigurisë juridike. Të majtët vlerësojnë të pakuptimtë gjykimin e një çështje kaq të rëndësishme nga agjenci administrative siç është AKKP-ja në këtë rast, duke propozuar dhe këmbëngulur në gjykimin e tyre nga gjykatat. Por projekti i propozuar nga deputeti i mazhorancës nuk kufizon në asnjë nen të tij të drejtën e subjekteve të interesuara që ta ankimkojnë vendimin e AKKP-së në gjykatë. Ndryshe nga socialistët, si dhe në ndryshim nga qëndrimi që mbajtën për ligjin e SHISH, Lëvizja Socialiste për Integrim e mbështeti këtë projekt të ardhur nga Partia Demokratike për të zgjidhur çështjen e pronave. Sipas ligjit të propozuar AKKP-ja, mbi bazën e një kërkese për rishikim shqyrton vendimet e ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, të ish-komisioneve vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, si dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve për pesë rastet e përmendura më sipër. Kërkesat për rishikim mund të paraqiten vetëm nëse nuk janë duke u shqyrtuar në themel në gjykatë apo për të cilat gjykata nuk ka dhënë një vendim themeli të formës së prerë. Drejtori i AKKP-së në kushtet e mospranimit të kërkesës për rishikim, në përfundim të shqyrtimit të çështjes vendos: lënien në fuqi të vendimit, shfuqizimin e vendimit, shfuqizimin dhe zgjidhjen e çështjes. Kur vendimi nuk ankimohet sipas afateve, ai përbën titull ekzekutiv. Një rol i rëndësishëm në këtë proces duket se i është dhënë dhe Avokaturës së Shtetit, e cila ka të drejtë të bëjë kërkesë për rishqyrtim të çështjes, deri në 5 vjet pas marrjes së vendimit, ndërsa subjektet e kanë këtë të drejtë brenda 45 ditëve. Projekti u hartua pas boshllëkut që u krijua në ligj pas rrëzimit si antikushtetuese të dy neneve nga Gjykata Kushtetuese. Pasi të dekretohet nga Presidenti i Republikës, ligji do të botohet në Fletoren Zyrtare dhe 15 ditë pas këtij afati do të hyjë në fuqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›