Pavarësia e Shqipërisë, Berati dhe rishikimi i historisë
Pushtimet e gjata romake, sllave dhe osmane. në Gadishullin Ballkanik, me asimilimet, shfarosjet e dëbimet nga trojet amtare, po tjetërsonin qytetet ilire me ndryshime emrash e toponimesh. Gjithsesi, aty nga shekulli XIV, u shfaq sërish fuqishëm pasardhësi i etnisë së lashtë ilire, populli autokton shqiptar, i quajtur nga të huajt alban, nga vendasit arbër. Nga Marin Barleti, dhe historianët e asaj kohe Europa u njoh me fillimet e krijimit të shtetit të parë shqiptar, me një mbretëri të re të mbështetur në besëlidhjen e principatave shqiptare, me Gjergj Kastriotin-Skënderbe në krye. Nga albanologët do të flitej për etni, fise e komb shqiptar me gjuhë, tradita, zakone e tipare të veçanta në trevat e Albanisë ose Arbërisë, sot Shqipëri, pranë brigjeve të Adriatikut e Jonit, Ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare Sami Frashëri, në mbarim të shekullit 19, do të shprehej qartë: “Shqipëri i thonë gjith’ati vëndi tek rrinë Shqipëtarët, Shqipëtarët janë m’i vjetri i kombevet t’Evropës”. Në kohët e reja, nga kolosi i kultures sonë Fan S Noli, bota do të mësonte me terma shkencore, për shtrirjen e Shqipërisë në Ballkan, qysh nga kohët e lashta dhe për Skënderbeun e vërtetë.
Nga historia dihet, se qysh nga mesjeta deri në kohët e reja, Shqipëria, pati disa zhvillime të rëndësishme, por vetëm katër ndër to ishin kulmet e saj: ngritja e Flamurit fushëkuq me Shqiponjën dykrenore në Krujë 28 Nëntor 1443, nga Gjergj Kastrioti-Skënderbe, Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878, e Abdyl Frashërit, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ngritja e Flamurit Kombëtar dhe e krijimit të Qeverisë Shqiptare nga Ismaill Qemal Bej Vlora me firmatarët e paharruar më 28 Nëntor 1912. Së fundi pas gjakderdhjesh e luftrash heroike, Pavarësia e Kosovës, e premtuar nga i madhi Ibrahim Rugova. e shpallur më 17 shkurt 2008, prej kryeministrit Hashim Thaçi. Nuk duhen harruar në këtë mes dhe vepra e vatranëve të mëdhej, me Nolin e Konicën në krye, as përkrahja dhe ndihma e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, pas pesë shekuj përpjekjesh për liri, me penë e armë, nga dijetarët rilindas, udhëheqësit e luftëtarët, Rilindi Shqipëria e lirë dhe e mosvarme, ashtu siç kërkoi Sami Frashëri në vitin 1899: “Duhet një orë e më parë të ndahet Shqipëria e të dihet që ku e gjer ku është. Të njihet vëndi ynë për Shqipëri, t’a njohë edhe Evropa Shqipëri. Shqipëtarët të ndritojn’ e të zbukurojnë gjuhën e tyre, me shkronja e me dituri; të bashkohen gjithë bashkë, e të tregohen si një komp, i cili do të ketë të drejtat që ka çdo komp në faqet e dheut.”
Në këtë hapësirë kohore Berati a Partha 2400 vjeçare e Ilirëve, tok me rrethinat, herë në dritë, herë në mjegull të historisë, ka qendruar në ballë të ngjarjeve të mëdha për liri, pavarësi e përparim. Berati ishte i pranishëm me Gjon Muzakën e viteve të Kastriotëve. me Ali Pash Tepelenën e Rapo Hekalin e kryengritjeve kundërosmane. Berati krenohet me Ali Mehmet Vrionin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Berati, besnik deri në fund i Qeverisë së Vlorës, nderohet në këtë 100 Vjetor, me bijtë e tij, burrat e shtetit, firmatarët e Deklaratës së Pavarsisë, si Bab Dud Karbunara, Iliaz Bej Vrioni, Sami Bej Vrioni, Dhimitër Tutulani, Qemal Bej Mullaj, Ferit Bej Vokopola, Hajredin Bej Cakrani dhe Ali Bej Koprencka. Në mes të heshtjes solemne u nënshkrua një tekst i thjeshtë, por si dokument historik më i çmueshëm se çdo thesar: “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 13/28/1912, Pas fjalëve që tha z.Kryetar Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”. Në çastin e firmosjes Bab Dud Karbunara do të shprehej: “Le të jetë i përjetshëm efekti i këtyre nënshkrimeve”.
Përfaqësuesit e Beratit, nuk u ndalën në udhën e mundimshme për të mirën e atdheut, me pjesëmarrje. Në kongrese, me punën e tyre në qeveritë e bashkitë e viteve 20-30 dhe në veprimtaritë politike, arsimore e kulturore, Për shkaqe atdhetarie disa prej tyre patën fate të hidhura: Bab Dud Karbunara, veterani rilindas, mësues i shqipes, bashkëpunëtor i Kostandin Kristoforidhit dhe i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në moshë të thyer në qershor 1914 do të torturohej barbarisht nga rebelët e Musa Qazimiit dhe Haxhi Qamilit. Në revistën Minerva, dhjetor 1935 demokrati berates Xhevdet Mehqemeja duke kujtuar atë ngjarje, shkruante: “Babë Dud Karbunarën afro tetëdhjetë vjeçar, një nga veteranët e ndritshëm të idesë kombëtare. e sollën në burg duke e rrahur dhe gjakosur rrugës me dipçitin e dyfekëve nga turma injorante e rebelëve. Kur vrapuam t’a ngushëllonim e t’i lidhnim plagët e kryes, ku i rridhte gjaku si rrëke, ay me buzëqeshje ëngjëllore dhe me një durim të admirueshëm përgjigjej: Mos u mërzitni djemtë e mi! Këto plagë janë dekorata për mua. Ideali kombëtar më shumë forcohet dhe rrënjoset ndër zemra nga vuajtjet tona”. Ndërsa Ali Koprencka, luftëtar i lirisë e deputet do të vritej nga armiqtë e atdheut në vitin 1919. I biri i patriotit të madh Ali Mehmet Vrioni, Iliaz Vrioni përfaqësues i Beratit në Kongresin e Lushnjës, i shquar si drejtues ministrish, deri kryeministër i disa qeverive, diplomat i aftë në Paris e Londër, në vitet 20-30, do të fyej pas vdekjes paturpësisht nga regjimi komunist i E. Hoxhës me hedhjen e eshtrave në lumin Osum, Sami Bej Vrioni ministër në tri nga qeveritë e periudhës 1918-1920, do të vdiste nga torturat komuniste më 1947. Për nismën historike, Shpalljen e Pavarësisë Shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora pati edhe përkrahjen e qytetarëve e fshatarëve nga e gjithë prefektura e Beratit, veçanërisht nga oficerët e ushtarët e tyre në ushtrinë turke, të kthyer në atdhe si edhe nga komandantët e çetave për liri, në kohën e kryengritjeve të viteve 1910-1912, si kapiteni Baki Gjebrea, Hajredin Fratari, Ismail Klosi dhe Muharrem Lleshi bashkëpunëtorë me Ismail Qemalin për ngritjen e Flamurit edhe në Berat,. Dy vjet më vonë, këta katër Martir të Kombit do të pushkatoheshin nga rebelët e Musa Qazimit dhe Haxhi Qamilit, duke brohoritur: “Rroftë Shqipëria!” Ndërsa kapiteni në pension Sulejman Dëshnica, mik i Bab Dud Karbunarës do të fyhej e kërcënohej në shtëpinë e vet, si përkrahës i ngritjes së Flamurit Shqiptar.
Përmendores së hijshme, Dëshmorët e Kombit, ngritur në parkun e Beratit në vitin 1935, kushtuar luftëtarëve të cilët falën në jetën për Atdhe, duhet t’i jepet një hapësirë më e gjerë, me figurat e shquara të Beratit që menduan e vepruan për Shqipërinë e Pavarur e morën pjesë në nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Sidoqoftë, gjithkush teksa ndalon para saj, kujton me nderim, se liria e pavarësia u fitua me gjakun e dëshmorëve nacionalistë dhe përpjekjet e patriotëve, pa dallim feje. Poashtu busti i Bab Dud Karbunarës, i ngritur qysh më 1937, i zhvendosur gjatë diktaturës diku në një kënd, si i harruar, e ka humbur vlerën si vepër arti dhe nuk shpreh vizionin e patrioti të madh të pavarësisë.
Në 28 Nëntor 2012, Shqipëria feston 100 Vjetorin e Pavarësisë pas një udhe të vështirë qindravjeçare. 100 Vjet Pavarësi me përparim e pengesa të rrezikshme, me lufte e paqe, me ndeshje të përgjakshme, mjerisht edhe nën një diktaturë të zgjatur. deri, sa më në fund ngadhnjeu sërish liria dhe demokracia e dëshiruar prej aq vitesh nga shqiptarët.
Shumë vetë tek lexojnë shkrime apo dëgjojnë intervista profesorësh që merren edhe sot me historinë, befasohen me mungesën e dëshirës për rishkrimin e historisë së Shqipërisë. Kjo u sjell ndër mend fjalimet e E. Hoxhës dikur për profesorët kokëulur të historisë:” Historianët kanë bërë një punë shumë të madhe, shumë të mirë, shumë të lavdërueshme. Ju lumtë atyre." Ndaj sot shumë vetë shqetësohen, kur në tekstet e historisë, shohin përsëri emra profesorësh të njohur për manipulim e retush dokumentesh apo analiza sipas metodës së vjetër, teksa tekstin e historisë e titullojnë ashtu si vite më parë, me emër demografik, “Historia e Populllit Shqiptar” dhe jo Historia e Shqipërisë, ku ngjarjen e madhe të 28 Nëntorit 1912 e mbyllin shkurt, thatë, duke përmendur vetëm emrat e anëtarëve të qeverisë, ndërsa anëtarët e organeve të tjera të shtetit, midis tyre Bab Dud Karbunara i mbulon mjegulla e harresës, Ndërkohë për rebelimin kundërkombëtar mbushin faqe të tëra me emra rebelësh me nofkat brohoritëse, si “bab Haxhiu”, “Haxhi Zjarrmi”, ndoshta “Zjarri” i shtëpive të mësuesve e bejlerëve patriotë. Më tej, revoltën e oficerëve në Fier, të udhëhequr për çudi nga një gazetar, e njohur ndryshe si Lëvizja e Fierit e cila nuk u përkrah nga rrethet e tjera, e fryjnë si tullumbace me emrat e fotot e prishësve të qetësisë, të ashtuquajtur revolucionarë. Lexuesit nuk pajtohen, sigurisht, as me paragjykimin e dikurshëm absurd, se disa prej patriotëve që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë nuk duhej të ishin pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme, Ditës së Flamurit, siç ndodhi gjatë diktaturës me fshirjen e emrave të shquar në histori, si Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Iliaz Vrioni, Pandeli Evangjeli, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra, Lef Nosi.etj. Gjithkush sot dëshiron daljen në dritën e së vërtetës e emrave të atyre që i shërbyen Kombit posi Shqiptar.
Me rastin e 100 Vjetorit, të Ditës së Flamurit dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me vargjet e arta të Fan S Nolit: Flamur që lind Shën Kostandinin,/Pajton Islamn’ e Krishterimin,/Çpall midis feve vllazërimin,/Flamur bujar për Njerëzi.