Debat në bazën socialiste
Në një komunë, që mbahej si “bastion” i socialistëve, kish lindur një debat i ashpër. Nuk po gjendej autori i vrasjes së një gomari. - Taní, shokë, flisni me rradhë! - tha i deleguari. - Kush e vrau gomarin në komunën tuaj një ditë para vizitës së kryetarit tonë. - Me leje? - ndërhyri një fshatar me takíe - Jam i sigurtë që gomari nuk është vrarë për motive të dobëta. Këtu ka gisht politika! - Tjetër! - vazhdoi kërkesën i “madhi”. - Me leje? Jam i mendimit që gomari është vrarë për punë bindjesh! - tha një i moshuar, që po dridhte një cigare me gazetë. - Jo! - tha një socialist i porsapushuar puna si kontrollor në qark! - Gomarin duhet ta kenë zhdukur demokratët, meqë ai punonte si një traktor. - S’jam dakord me shokun, pasi i ndjeri, bilé, ra i sëmurë, kur kryetari ynë foli për tatimin progresiv - tha një person i veshur “kreko”. - Ju lutem! Mos e ktheni në qesharak diskutimin ! - tha i deleguari - Po na e nxirrni gomarin si pjestar të grupit të mendimit ndryshe!?... - Mos u çudit, shok ! - iu drejtua të porsaardhurit një fshatar me opinga të kuqe - Fjalimi i kryetarit mbi “Rilindjen” ka ngjallur shumë diskutime të ashpra. - Ashtu? - brofi në këmbë i deleguari - Atëherë çështja qenka serioze. Ju mendoni se partia jonë është për zhdukjen e gomarëve? - Jo! Përkundrazi! - u hodh një këmishëgrisur - Si socialistë, ne jemi për ruajtjen e traditave. Komunizmi nuk kish çdo gjë të keqe. Edhe me gomar, janë marrë atëherë goxha rendimente! - Mos u largoni nga tema, shokë! - ndërhyri rishtas i deleguari. - Çështja është kush dhe pse u vra gomari një ditë para se të vinte kryetari për të shpjeguar platformën e “Rilindjes”? Partia jonë nuk është për përjashtimin e gomarëve. Përkundrazi. - Me leje? - ngriti dorën një vajzë me kominoshe të përveshura. - Unë dyshoj që gomari të jetë vrarë për çështje korrupsioni! - Korrupsioni? Si? Pse? - pyeti i alarmuar “kapua”. Atëherë vrasësi qenka brenda komunës! - Jo! Mazhoranca nuk besoj se ka interes që të pakësohet fuqia punëtore! - Është e vërtetë! - tha një i porsakthyer nga emigracioni. - Qevería i paguan fondet për bujqësínë njëlloj, edhe sikur të gjithë fshatarët të kenë secili nga pesë gomarë!
Nga grumbulli i njerëzve sesí u ngrit befas një mesoburë me mustaqe, që nuk kish hapur gojë. - Më falni! – tha. Gomarin... e vrava unë! (Habí e përgjithshme, ilaritet) - Ndonëse ai qe i imi, unë e vrava. - E pse? - pyetën njëzëri 5-6 vetë. - E vrava, shokë, për të luftuar korrupsionin! Këta të komunës nuk u japin nga investimet e qeverisë fermerëve që kanë gomarë! Se ku shkojnë fondet, një Zot e di! E po unë nuk mund të lija që një copë gomar të bëhej burim korrupsioni, de! - Ëhë! - mërmëriti i deleguari. - Po për platformën “Rilindja”, ç’mendim ke? - Nuk më pëlqen, - tha troç vrasësi i gomarit. - Sikur kërkon të na kthejë mbrapa! Kërkon të na heqë gomarin e të na mbrehë neve në parmendë! (I deleguari nxori bllokun dhe mbajti shënim). - Shokë! - tha pastaj nervoz - Duke vrarë gomarin, ky shoku ka ndihmuar mazhorancën dhe ka sulmuar platformën e partisë sonë. Kjo është më keq se mendimi ndryshe!