E Martë, 3 Nëntor 2026

Pazari karakteristik në Gjirokastër, vendi ku turistët shijojnë traditën, mikpritjen, të bukurën

Pazari është një ndër zonat më të preferuara në qytetin e gurtë të Gjirokastrës nga turistë vendas dhe të huaj. Edhe këtë fund gushti rrugicat e kalldrëmta të zonës muzeale janë të tejmbushura nga vizitorë të shumtë që sapo mbërrijnë në Gjirokastër shijojnë eksperiencën autentike të kulturës dhe traditave të qytetit të gurtë.

“Arkitektura karakteristike e shtëpive, është një atraksion në vetvete. Na pëlqen shumë, rrugicat janë shumë të veçanta, është pjesa e parë e qytetit që po vizitojmë dhe po na pëlqen shumë.

Pazari është shumë interesant. Gjeja që na ka tërhequr më shumë vëmendjen janë punimet e artizanëve, kemi marrë disa prej tyre me vete për kujtim. Por edhe rrobat tradicionale të punuara vetë janë fantastike, shumë të veçanta na pëlqyen shumë”, thanë disa nga turistët.

Ata shijojnë në këtë pjesë të qytetit edhe gatimet tradicionale.

“Jemi ulur për të provuar gatimet tradicionale. Janë shumë të shijshme po na pëlqejnë shumë. Kemi provuar byrekun, qifqit dhe gatime të tjera që kanë patur një shije fantastike”, u shpreh një turist.

Turistët e pëlqejnë Gjirokastrën për arkitekturën unike që ka trashëgimin historike dhe kulturore, peizazhet malore etj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›