Pedagogët u rikthehen protestave/ Meta: Qeveria i ka injoruar, ata duan paga dinjitoze. T’i bashkohen protestës së opozitës

Teksa pedagogët i janë rikthyer sërish protestave, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka theksuar se kërkesat e tyre për paga dinjitoze dhe rritjen e financimit të kërkimit shkencor janë injoruar nga qeveria.
Meta shkruan se ata janë kërcënuar nga elementë të qeverisë së kryeministrit Edi Rama që sipas Metës nuk e ka arsimin prioritet.
Sipas Metës, pedagogët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon dhe financimi për kërkimin shkencor është më i ulëti.
“Pedagogët iu rikthyen dje sërish protestës, sepse Qeveria i injoroi kërkesat e tyre për paga dinjitoze dhe rritjen e financimit të kërkimit shkencor në arsimin e lartë. Në vend që të dëgjoheshin, u kërcënuan dhe u intimiduan nga Qeveria e inceneratorëve që arsimin nuk e ka prioritet. Ndërkohë që pedagogët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon, financimi për kërkimin shkencor është më i ulëti”, shkruan Meta në rrjetin social në Facebook.
Meta thekson më tej se nëse nuk përmbushen kërkesat e pedagogëve dhe studentëve, kjo do të sjellë rritjen e largimit të të rinjve. Ndërsa i ka ftuar ata të bëhen pjesë e protestës së opozitës.
“E kam mbështetur fuqimisht kërkesën e tyre për rritjen e pagave në nivele të krahasueshme me pedagogët e Kosovës. Nëse nuk përmbushen kërkesat e pedagogëve dhe studentëve, ikja e të rinjve dhe intelektualëve do të vijojë të zgjerojë plagën e shpopullimit, si pjesë e axhendës së “Rilindjes”. Ndaj i ftoj pedagogët dhe studentët t’i bashkohen sot protestës së opozitës! Llogaridhënie për injorimin e kërkesave të pedagogëve dhe studentëve! Bashkë jemi më të fortë!”, përfundon Ilir Meta.
/rtsh.al/