Pedagogia shqiptare në universitetet britanike, Ndrecaj: Doja të isha model për fëmijët e mi

Kur emigroi 22 vite më parë drejt Britanisë së Madhe, qëllimi i saj ishte t’i jepte mundësi fëmijëve për shkollim dhe një jetë më të mirë. Sot Vera Ndrecaj është një nga rastet e shqiptarëve të suksesshëm që kanë emigruar dhe prej 10 vitesh ajo është pedagoge në universitetet britanike.
Duke i përshkruar fillimet si të vështira dhe plot pengesa, Vera Ndrecaj tha se ka bërë gjithçka që të jepte një model të mirë për fëmijët e saj dhe të ishin të suksesshëm në jetë.
“Emigruam për një të ardhme më të mirë në Britaninë e Madhe. Fillimet janë gjithmonë të vështira, por kam dëshirë që të nënvizoj faktin se ato periudha të vështira i përdorim si pika reflektimi për të parë dhe për të ditur se sa shumë kemi përparuar në udhëtimin tonë. Ka qenë shumë ë vështirë, por na bëri më të fortë dhe të vendosur për të arritur objektivat tona. Ka qenë një udhëtim i gjatë, plot vështirësi e pengesa por gjatë kësaj periudhe kam arritur të krijojë një mendësi, jo për të parë këto pengesa të pakapërcyeshme por si t’i kalojmë ato. Ndoshta historia ime është pak më e veçantë pasi kur emigruan dhe kryesisht qëllimi ynë ishte të kem mundësi të shkollohen fëmijët pasi për ne mendonim se ishte e pamundur pasi nuk kishim njohuri mbi gjuhën angleze. Për mua ka qenë një motivim i jashtëzakonshëm edhe si grua dhe si nënën që të bëhesha një model për fëmijët e mi”, tha pedagogia Ndrecaj.
E pyetur se si arriti të bëhej një pedagoge e vlerësuar në Britaninë e Madhe, Ndrecaj tha se ka pasur mbështetjen e britanikëve.
“Britanikët janë super mbështetës për ata njerëz që shohin se kanë vullnet dhe dëshirë për t’u bërë pjesë aktive e shoqërisë britanike. Unë e kam ndjerë mbështetjen e tyre në çdo hap që kur mësoja gjuhën angleze në kolegj ku isha 36 vjeçe dhe prandaj jam këtu ku jam sot. Kam mbi 10 vite që jam pedagoge me kohë të plotë në universitetet britanike dhe kam marrë shumë kualifikime”, tha ajo.
/rtsh.al/