Pedofilia akt monstruoz, nuk mund të kthejmë dënimin me vdekje
Në mbledhjen e sotme të qeverisë kryeministri Sali Berisha është ndalur në ngjarjen tronditëse të vrasjes së 11 vjeçarit Julian Çela nga një pedofil. Sipas kreut të qeverisë ky akt është monstruoz, por nuk mund të rikthejë dënimin me vdekje në Shqipëri, për shkak se është në kundërshtim me konventën evropiane për të drejtat njeriut. Sipas tij: “jemi shoqëri që kërkon integrimin dhe vend anëtar i Këshillit të Europës që nuk lejon këtë dënim ekstrem”, por ai premtoi ndëshkime shumë të rrepta për dhunën ndaj grave, fëmijëve, vrasjen e grave dhe policëve si dhe gjakmarrjen. Duke iu referuar paketës ligjore për ashpërsimin e disa veprave penale që do miratojë qeveria, Berisha bëri krahasimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas tij dënimi me vdekje nuk e shmangu dhe nuk e uli kriminalitetin. “Një ngjarje që ka tronditur thellë shoqërinë shqiptare ishte akti i një mostre që ka vrarë një fëmijë dhe që po përgatiste vrasjen e tjetrit, ekzekutimin e fëmijës tjetër që fatmirësisht policia me një ndërhyrje urgjente e nxori nga kthetrat e vdekjes së kësaj mostre. Opinioni u revoltua nga kjo ngjarje tronditëse kërkon rikthimin e dënimit me vdekje. Në SHBA, një seri shtetesh kanë votuar heqjen e dënimit me vdekje sepse ato kanë parë se ai nuk ka patur ndikim të përfillshëm në uljen e kriminalitetit. Edhe pse revolta shpirtërore është e vrullshme Shqipëria nuk duhet të bëjë hapa, luftimi i shkaqeve të thella të kriminalitetit, padiskutim është më i mundshëm në proces, në integrim e sipër dhe në integrim të vendit”. Kryeministri tha se për ndëshkimin e kësaj kategorie është diskutuar gjatë, ku është propozuar sterilizimi i tyre kimik.
...