Berisha bën publik projektin e punësimit të shqiptarëve për katër vitet e ardhshme – sektorët kyç energjetika, turizmi dhe bujqësia

Punësimi i shqiptarëve ishte kryefjala e kryeministrit Sali Berisha sot në mbledhjen e qeverisë. Berisha garantoi se qeveria do të ndërmarrë nismë për punësimin e të rinjve në vend, të cilët sipas tij janë e ardhmja e biznesit social. Dhe në këtë kontekst ai deklaroi se do të kalojë në Parlamentin shqiptar heqjen e taksës për tre vitet e para të punësimit të çdo të riu. Gjithashtu në mbledhjen e sotme të qeverisë kryeministri ka folur edhe për privatizimin e HEC-ve, të cilat sipas tij gjenerojnë mijëra vende pune, sikurse sektorët kyç të rritjes së punësimit mbeten edhe turizmi dhe bujqësia.
HEC-et promotor i punësimit
"Pas 30 vitesh ndërprerje të plotë të ndërtimit të hidrocentraleve viti 2007 shënoi një epokë tjetër në këtë drejtim", deklaroi kryeministri Sali Berisha të mërkurën, në mbledhjen e përjavshme të qeverisë. Kryeministri Berisha bëri të ditur se në mbledhjen e sotme do të miratohet marrëveshja e ndryshimit të kontratës së kompanive ndërtuese të kaskadës së Devollit. Gjatë javës së shkuar kompania austriake EVN i shiti aksionet e saj kompanisë norvegjeze të njohur në fushën e ndërtimit të HEC-eve, Statkraft. Kreu i qeverisë e konsideroi kompaninë norvegjeze si kompani lider në mbarë botën për ndërtim e HEC-ve jashtë vendit dhe numër një në Europë që ndërton dhe menaxhon mbi 200 HEC-e. Sipas tij, marrëveshja mes dy kompanive është në përputhje të plotë me ligjet shqiptare e ndërkombëtare. "Statkraft ka treguar vullnet të plotë për të filluar punimet në kaskadën e Devollit në mënyrë të pandërprerë sapo të bëhet i mundur formalizimi i këtyre ndryshimeve në Parlament", theksoi kryeministri. Qeveria, informoi kryeministri Berisha, ka firmosur me sektorin privat për ndërtimin e 363 HEC-ve. Sipas tij, dhjetëra prej tyre kanë përfunduar ose janë në ndërtim. Ndërtimi i këtyre, theksoi kryeministri, është një proces që gjeneron mijëra vende pune. "Gjatë këtyre viteve, kanë qenë të punësuar rreth 15 mijë shtetas kryesisht në zonat më të varfra të vendit, nga Vithkuqi në Martanesh, në Luginën e Drinit dhe kudo në zonat më të thella", tha Berisha. Punësimi masiv në HEC-e, sipas kryeministrit, fillon me kaskadën e Devollit, vepra më gjigante në sektorin privat që është ndërtuar ndonjëherë në historinë e vendit, e cila do të punësojë së paku 4 mijë. Duke u ndalur në shifra, sipas kreut të qeverisë, sektori privat në 4 vitet e fundit ka investuar rreth 4 miliardë e 200 milionë dollarë, sektori publik me investime të huaja rreth 2.5 miliardë dollarë, ndërsa sektori privat rreth 6 miliardë dollarë. Në tërësi gjatë katër viteve që shkuan u investuan 12 miliardë dollarë dhe janë krijuar rreth 200 mijë vende pune. Objektivi ynë, tha ndër të tjera Berisha, parashikon që Shqipëria të arrijë kapacitetin e saj për investimet e huaja direkte, në mënyrë që rritja graduale të finalizohet me 2 miliardë dollarë investime të huaja në vit, objektiv ky që kreu i qeverisë e cilësoi si plotësisht të mundshëm. Kryeministri Berisha informoi gjithashtu se punësimi në sektorin e energjisë do të dyfishohet. Sipas tij, edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë do të ketë rritje të ndjeshme të punësimit. "Ne nuk japim shifra në erë, pasi llogaritjet tona janë sipas sektorëve dhe mekanizmat që po ndërmerren do të bëjnë një reformim të thellë të tregut të punës", deklaroi Berisha.
...