KORE E JUGUT – NIS: Koreja e Veriut ka dërguar trupa shtesë në Rusi

SEUL, 27 shkurt /ATSH-DPA/- Koreja e Veriut ka dislokuar më shumë trupa për të mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës, sipas shërbimeve sekrete koreano-jugore.
“Shërbimi sekret NIS beson se trupa shtesë të Koresë së Veriut janë dërguar në vijën e frontit në rajonin Kursk të Rusisë, megjithëse numri i trupave të dislokuar së fundmi është duke u vlerësuar”, tha sot agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut, “Yonhap”.
“Pas një qetësie një mujore, trupat e Koresë së Veriut u dislokuan sërish në rajonin e vijës së parë të Kurskut – duke filluar nga java e parë e shkurtit”, tha NIS, sipas “Yonhap”.
Në mes të janarit, NIS vlerësoi se rreth 300 ushtarë të Koresë së Veriut ishin vrarë dhe 2700 ushtarë të tjerë ishin plagosur në luftimet rreth rajonit të Kurskut.
Koreja e Veriut i ka ofruar Rusisë rreth 12 000 ushtarë për të luftuar kundër Ukrainës që nga fundi i vitit të kaluar.
NIS ka bashkëpunuar ngushtë me shërbimin sekret ukrainas. //a.i/