Peleshi: Universiteti “Fan S. Noli” urë për rikthimin e talenteve të Korçës

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi vlerësoi sot kontributin e prof. dr. Genci Çapit në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale, me rastin e nderimit të tij me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës.
Peleshi theksoi se Çapi, me të cilin tha se është “shok shkolle dhe mëhalle”, prej 28 vitesh punon në Tokio të Japonisë në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale, teksa numëron mbi 200 botime shkencore dhe vlerësime ndërkombëtare.
Sipas Peleshit, titulli i dhënë nga Universiteti “Fan S. Noli” nuk përbën vetëm një nderim personal, por edhe një mundësi për forcimin e lidhjeve të universitetit me dijen dhe eksperiencën shqiptare jashtë vendit.
“Genci nuk vjen rrallë në Korçë thjesht për nostalgji. Vjen me projekte, vjen gati të kontribuojë, gati t’ia vërë dijen e tij në shërbim të universitetit dhe të bashkisë, për të modernizuar programet, për të nxitur kërkimin dhe inovacionin këtu, në Universitetin ‘Fan Noli’ të Korçës”, u shpreh Peleshi.
Ai e cilësoi Universitetin “Fan S. Noli” si institucionin më të rëndësishëm të qarkut, duke nënvizuar rolin e tij në përgatitjen e të rinjve dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore për zhvillimin e Korçës.
Peleshi tha se universiteti mund të shërbejë si një urë që lidh profesionistët shqiptarë jashtë vendit me vendlindjen, duke i angazhuar si mentorë, bashkëpunëtorë, pedagogë, sipërmarrës apo themelues të laboratorëve kërkimorë.
“Kjo është një mundësi e artë për Korçën. Universiteti mund të bëhet ura që i rikthen djemtë e vajzat e Korçës në shtëpi – jo domosdoshmërisht përgjithmonë, por si mentorë, si bashkëpunëtorë, si themelues të një laboratori të fortë kërkimor, si pedagogë apo sipërmarrës”, deklaroi Peleshi.
Ai theksoi se e ardhmja e Korçës duhet të ndërtohet duke u lidhur me botën dhe duke krijuar mundësi që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen edhe në vendlindje.
1 nga 3/e.xh/r.e/